Pogradeci i hap portën Kamzës, “djeg” Teutën

Dec 21, 2011 | 13:18
Foto ilustruese

Tirana, Kamza, Kastrioti dhe Bylis në Grupin A, ndërsa Laçi, Flamurtari, Skënderbeu dhe Vllaznia shortohen në Grupin B. Ky është verdikti i ndeshjeve të fundit të 1/8-ave në grupe, ku siç shihet surpriza është Kamza, e cila kualifikohet për herë të parë në çerekfinalet e këtij kompeticioni. Sakaq vlen të theksohet se ka mbetur jashtë Teuta, e cila po kryeson kampionatin, pasi golavarazhi e ka “lënë në baltë”. Durrsakët kanë mundur vetëm 1-0 Flamurtarin në Durrës, ndërkohë që rivalët e tyre, kamzalinjtë, kanë shfryrë dufin ndaj Pogradecit, ndaj të cilit kanë fituar 6-0, duke shkuar ata më tej në Kupën e Shqipërisë. Në pamje të parë duket qartë që liqenorët nuk kanë pyetur shumë për këtë ndeshje, madje nuk janë impenjuar fare duke dënuar durrsakët, në shenjë hakmarrjeje edhe për polemikat e shumta që shkaktoi ndeshja e fundit mes tyre në kampionat. Kryebashkiaku i Pogradecit akuzoi arbitrin Enea Jorgji si të shitur, ndërsa ky i fundit u godit në tunelin e dhomave të zhveshjes, rast ky që do merret sot në shqyrtim nga Komisioni i Disiplinës. Liqenorët e patën neglizhuar takimin me Kamzën, aq sa drejt kryeqytetit jo vetëm që udhëtuan lojtarët e rinj, por edhe trajneri i parë, Ylli Çekiçi, i kishte lënë vendin teknikut të të rinjve, Armando Sadikaj. Për sa i përket ndeshjes, protagonist u bë sulmuesi Eleandro Pema, i cili shënoi 4 nga 6 golat e këtij takimi. Ndërsa në Grupin A, Tirana vijoi me rezultatin e 6 pozitiv në 6 ndeshje, duke qenë e vetmja skuadër me pikë të plota në grupe. Bardheblutë mundën Laçin, falë një goli të Mario Morinës, teksa duhet thënë se edhe kurbinasit u kualifikuan për më tej, si skuadra e renditur në vend të dytë në këtë grup. Ndërsa në Grupin C, në Krujë Kastrioti vendës mundi Skënderbeun me rezultatin 3-1, çka u ka mjaftuar të besuarve të Ndreut për të zënë vendin e parë në grup, ndërsa kanë spostuar të dytët korçarët. Në Kavajë, Besa ka mundur 2-0 Luftëtarin, një ndeshje vetëm për statistikë kjo, por edhe si test kontrolli për ndeshjet e fundjavës në Kategorinë e Parë. Në Grupin D, Vllaznia ka fituar në Ballsh, por nga ana tjetër i ka bërë keq vetes, pasi sipas formulës është pjesë e Grupit B në çerekfinale, ndërsa Bylisi, edhe pse humbi, u kualifikua si e dyta në grup dhe do vazhdojë aventurën së bashku me Tiranën, Kastriotin dhe Kamzën. Pas ndeshjeve në dy grupe, dy skuadrat e para do të kalojnë në gjysmëfinale dhe aty më pas do ketë short të lirë për të nxjerrë dy finalistet.

Grupi A
Tirana-Laçi    1-0
Shënues: Morina 32′
Apolonia-Shkumbini    5-2
Shënues: Papingu 8′, 81′, Gashi 46′, Baba 60′, 62’/ Balliu 26′, 54′
Renditja – Tirana 18 pikë, Laçi 8 pikë, Apolonia 7 pikë dhe Shkumbini 1 pikë.

Grupi B
Teuta-Flamurtari        1-0
Shënues: A.Hoxha 67′
Kamza-Pogradeci    6-0
Shënues: Pema: 26′, 62′, 73′, 86′, F.Tafaj 36′, Belçev 52′
Renditja – Flamurtari, Kamza 9, Teuta 9 pikë dhe Pogradeci 4 pikë. Kualifikohet Kamza me golavarazh më të mirë.

Grupi C
Kastrioti-Skënderbeu    3-1
Shënues: Xhihani 24′, Dragoi 44′, Turdiu 80’/ Kame 85′
Besa-Luftëtari        2-0
Shënues: Fejzullai 13′, Hasa 78′
Renditja – Kastrioti 13 pikë, Skënderbeu 12 pikë, Luftëtari 7 pikë dhe Besa 3 pikë.

Grupi D
Bylis-Vllaznia        2-4
Shënues: Abazaj 17′, 85’/ Markolaj 3′, Shaba 69′, Hasani 86′, 90′
Elbasani-Dinamo        0-1
Shënues: Dikollari 30′
Renditja – Vllaznia 16 pikë, Bylis 13 pikë, Elbasani 3 pikë dhe Dinamo 3 pikë.

Çerekfinalet/Grupi A
Tirana,
Kamza,
Kastrioti
dhe Bylis

Çerekfinalet/Grupi B
Laçi,
Flamurtari, Skënderbeu
dhe Vllaznia

Leonard Karaj

© Panorama.al

Te lidhura