Poezia filozofike e Fatos Arapit përballë kohës dhe censurës! Qëndroi për shumë kohë gati në heshtje deri më 1989

Dec 15, 2025 | 12:07

Fatos Arapi është një nga figurat më përfaqësuese të poezisë shqipe të shekullit XX, një zë që u formua mes traditës dhe modernitetit, mes përvojës personale dhe trysnisë së kohës historike.

Fatos Arapi

I lindur më 1930 në Zvërnec të Vlorës, në një hapësirë ku deti dhe drita e Jugut formësojnë ndjeshmëri të veçantë poetike, Arapi ndoqi studimet për ekonomi në Sofje, për t’u kthyer më pas në Tiranë, ku punoi fillimisht si gazetar dhe më vonë, për një kohë të gjatë, si pedagog. Kjo rrugë jetësore dhe intelektuale ndikoi drejtpërdrejt në ndërtimin e një profili krijues të thellë, refleksiv dhe të dallueshëm në letërsinë shqiptare. Së bashku me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin, Fatos Arapi bën pjesë në brezin e poetëve që sollën një kthesë të rëndësishme në poezinë shqiptare të viteve ‘60, duke e larguar atë nga skemat e ngurta të realizmit socialist dhe duke e hapur drejt formave dhe ndjeshmërive moderne.

Arapi u orientua drejt poezisë filozofike dhe ekzistenciale, duke sjellë elemente të modernizmit që i dhanë poezisë shqipe një dimension të ri meditativ dhe introspektiv. Përmbledhjet e tij të para poetike, “Shtigje poetike” (1962) dhe “Poezi dhe vjersha” (1966), u shquan për origjinalitetin e ligjërimit dhe për kërkimin estetik, ndërsa vëllimi “Ritme të hekurta” (1968) shënoi një moment më konformist në raport me kërkesat ideologjike të kohës. Krijimtaria e Fatos Arapit u përball shpesh me censurën dhe presionin e diktaturës, duke kulmuar me kritikat e ashpra të vitit 1973 për veprën “Drama e një partizani pa emër” dhe me ndalimin e vëllimit “Më jepni një emër”. Këto rrethana e shtynë poetin drejt një heshtjeje të gjatë krijuese, e cila u ndërpre vetëm në fund të viteve ’80.

Megjithatë, pas rënies së diktaturës, Arapi u rikthye me një seri vëllimesh poetike që dëshmojnë pjekurinë e tij artistike dhe lirinë e vonuar shprehëse, duke e konsoliduar përfundimisht si një nga poetët më të thellë dhe më autentikë të letërsisë shqipe. Përtej poezisë, Fatos Arapi ka lënë gjurmë edhe në prozë dhe në kritikën letrare, duke ndërtuar një vepër të gjerë dhe shumëdimensionale. Në thelb, ai mbetet një poet i temave ekzistenciale, një nga zërat e rrallë shqiptarë që e ka trajtuar detin jo thjesht si peizazh, por si metaforë të fatit, lirisë dhe vetmisë njerëzore. Vetëdija e tij për rolin e letërsisë si forcë që ecën përpara, pavarësisht vështirësive, e bën Fatos Arapin jo vetëm një poet të kohës së vet, por një autor me mesazh të qëndrueshëm për brezat që vijnë.

KRIJIMTARIA

Fatos Arapi solli elemente të modernizmit Ai u orientua nga poezia filozofike. Veçanërisht origjinale janë dy përmbledhjet e tij të para poetike “Shtigje poetike” (1962), “Poema dhe vjersha” (1966), “Ritme të hekurta” (1968) është më konformiste. Më 1971 i botohet në Prishtinë vëllimi “Kaltërsira”. Në vitet 1962 e 1966 botoi vëllimet “Shtigje poetike” dhe “Poezi dhe vjersha”. U kritikua më 1973 për vëllimin Drama e një partizani pa emër, qëndroi për shumë kohë gati në heshtje deri më 1989. Vëllimin “Më jepni një emër” ia ndaloi diktatura. Pasojnë vëllimet: “Drejt qindra shekujsh shkojmë” (1977), “Fatet” (i botuar në Prishtinë më 1979), “Duke dalë prej ëndrrës” (1989). Pas rënies së diktaturës botoi vëllimet: “Ku shkoni ju statuja”, 1990, “Dafina nën shi”, 1991, “Ne, pikëllimi i dritave”, 1993, “Unë vdiqa në brigjet e Jonit”, Shkup, 1993, “Më vjen keq për jagon”, 1994, “In tenebris”, 1996. Fatos Arapi është një poet që parapëlqen temat ekzistenciale dhe një nga poetët e rrallë shqiptarë që trajtojnë në poezinë e tyre temën e detit. Ka shkruar edhe romanet “Dhjetor i shqetësuar” (1970), “Dikush më buzëqeshte” (1972, ribotuar në Prishtinë më 1973), “Shokët”, 1974, “Deti në mes”, 1986 dhe novelat “Patat e egra” (1970) dhe “Cipa e dëborës”.

Ka shkruar edhe vëllime me kritikë letrare Në një intervistë të dhënë vite më parë, ai thoshte: “Dëgjoj shumë andej e këndej pesimistë që flasin rreth letërsisë në përgjithësi dhe rreth poezisë. Por unë nuk jam pesimist. Unë mendoj se letërsia ecën. Po krijohen emra, po vijnë gjenerata të tjera dhe poezia nuk do të mbetet në mes të rrugës. Përkundrazi, me traditën që është krijuar tanimë dhe me tendencat e shumëllojshme të larmishme që janë krijuar me një teknologji krejt të re, poezia do të shkoj¸ përpara. Pastaj, fakti është që në përgjithësi letërsia shqiptare tashmë e ka të qartë synimin e saj drejt lirisë së njeriut, drejt të drejtave njerëzore të njeriut, në përgjithësi, sigurisht të kombit shqiptar dhe të njeriut shqiptar, në veçanti, mendoj se kjo letërsi është në rrugë të drejtë. Nuk duhet të jemi pesimiste. Unë jam optimist. Natyrisht në moshën time dhe me sëmundjen që kam, nuk mund t’i ndjek të gjithë, por jam optimist dhe ata ecin, ecin…”.

Poezia e Fatos Arapit nuk është poezi e deklaratës së drejtpërdrejtë apo e mesazhit të shpejtë. Ajo është një poezi zhbiruese, refleksive dhe shpesh provokuese, që shmang narrativën e thjeshtë për t’u zhytur në zonat e mjegullta të ndërgjegjes njerëzore. Në këtë univers poetik, njeriu shfaqet i copëzuar, i pasigurt, i përballur me vetveten, me dashurinë, kohën, humbjen dhe vdekjen. Arapi nuk përpiqet t’i qartësojë këto enigma; përkundrazi, ai i thellon, duke i kthyer në materie poetike dhe duke i projektuar sipas vizioneve të tij origjinale. Fatos Arapi mbetet një poet që nuk i ofroi lexuesit qetësi, por e ftoi atë në një dialog të brendshëm, shpesh të vështirë dhe të trazuar. Poezia e tij është një “verb poetik” që tërhiqet ngultazi drejt depërtimit në kompleksitetin e jetës, duke sfiduar rehatinë mendore dhe duke kërkuar një lexues aktiv, të gatshëm për reflektim. Pikërisht në këtë monolog të shqetësuar, në këtë kërkim të pandërprerë për kuptim, qëndron madhështia dhe aktualiteti i veprës së tij. Fatos Arapi nuk është vetëm një emër i madh i poezisë shqipe, por një zë që vazhdon të na flasë edhe sot, duke na kujtuar se poezia nuk është zbukurim i realitetit, por një mënyrë për ta përballuar atë në thellësinë e tij më të errët dhe më të vërtetë.

POEZI TË ZGJEDHURA TË FATOS ARAPIT

******

LAMTUMIRË

Marr me vete

djegie perëndimesh nëpër muzgje të qeta,

silueta qiparisash nëpër sfonde të murrme ullinjsh.

Dhe blloqet e hijeve të Çikës,

që përkunden netëve

mbi kostelacione yjesh Jonit përposhtë.

Lamtumirë.

Kudo që shkoj

jam një copëz peizazhi nga vendi im.

******

E PAËNDERTA IME

Më duhet një gjysëm ëndrre,

E paëndërrta ime.

Vë kokën në gjoksin tënd

E tani përplasem

Te kokë e një tjetri.

Më duhet një gjysëm ëndrre.

Shigjetat e orës së dorës

Tutje i shtyjnë kalimtarët,

në ditë të rrëpirta tiranase.

Shpirtra jo shpirtra që shkojnë…

Bri meje dikush flet me vete.

pa e kuptuar besoj në rrëfimin e tij.

Dikush, prej zhgënjirni të egër,

mbërthen kryqe të reja.

I hedh një gjysëm leku

Dhe blej kryqin tim.

Tani që ta ngre

Më duhet një gjysëm ëndrre,

E paëndërrta ime.

******

NUK MBYLLEM DOT

S’kam fuqi më as të trishtohem

Jemi anije pa spirancë

Mes erërave të egra të kundërta.

Peshqit llafazanë shurdhojnë qiellin

Më jepni ju një copë ironie,

Se nuk e gjej dot në veten time,-

Një copëz ironie

Sa gjysmëz e krahut të zogut,-

Të mbrohem nga shirat e verdhë

Të predikimeve të apostujve të lajthitur.

Të gjithë na kanë faj dhe askush:

Deshëm të krijohemi në asgjësimin tonë

Tani gjithë dritaret e shpirtit

Janë hapur, bymyer e kalbur

Nga shirat e lotëve,-

Dhe s’mbyllen më dot.

Mund të hyjë kush të dojë.

******

SI S’TË DESHA PAK MË SHUMË

Unë e desha përtej vdekjes,

Ashtu dashurova unë

Edhe prapë s’ia fal dot vetes:

S’i s’e desha pak më shumë…

Pak më shumë ku shpirti thyhet,

T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…

Të gënjejmë mallin që s’shuhet,

Kujtimin të gënjejmë pak.

Përtej vdekjes, përtej botëve,

Atje ku nis “ca pak” tjetër,-

Asaj që më rri mes Zotave:

“Si s’të desha pak më tepër…

******

GLORIA VICTIS (LAVDI HUMBËSVE)

Sepse jemi ne humbësit e mëdhenj.

Artin e shkëlqyer të humbjes

Ne e kemi ngritur në fat.

Sepse ne, vetëm ne, dimë të gabojmë.

Ne gabojmë në miqësi, dhe humbasim.

Ne gabojmë në dashuri, dhe humbasim.

Ne gabojmë në shpresat tona, dhe humbasim

Zaret e bardhë të fateve tona

Ne i hedhim para – dhe vazhdojmë

T’i hedhim ato edhe mbasi ta kemi kaluar Rubikonin.

Të gjithë na kanë faj dhe askush.

Të tjerët vetëm fitojnë,

Ndërsa ne jemi populli humbës

I humbjeve të mëdha. Zemra jonë

Është një mollë e artë dhimbjeje.

Nuk duam të njohim pushtetin e errët të smirës,

Dhe gabojmë, nuk e njohim

Lakminë akrep të pushtetit, dhe gabojmë.

Sepse ne-vetëm ne! Dimë të gabojmë.

Këmbët tona të zbathura janë ato gjethe vjeshte

Që bien dhe ecin në rrugë; shpirti ynë

Është prej lënde të brymtë trishtimi,

Të gjithë mund ta vrasin.

Të tjerët jo, ata janë fitonjës të përjetshëm,

Ata s’humbasin kurrë, sepse

Kurrë nuk gabojnë.

Ndërsa ne gabojmë – ashtu siç dimë vetëm ne!

Artin e shkëlqyer të humbjes

Ne e kemi ngritur në fat.

Dhe i kemi kthyer krahët lavdisë fitonjëse.

Ne njohim vetëm lavdinë e popullit

Të humbjeve të mëdha. Sepse ne

– po vetëm ne!-

Jemi të vërtetë.

******

AKREONTI RRJEDH PO KARONT NUK KA

Si të kthehem prapa kur udhën s’e di?

Prej pikëllimi lumi buçitës i natës

E unë rrah brigjet e errëta këtu.

Akeronti rrjedh po karont nuk ka.

Tregomë një va ku te kaloj.

Ti i njeh guvat dhe vorbullat e frikshme.

Tregomë një va, vëllai im,

Ku të kaloj Akerontin

Dhe të arrij.

Akeront rrjedh po karont nuk ka.

******

DITË TIRANASE

Ti mbyll derën pas e nisesh

Në mesin e rrugës takon ditën

Që të pyet e hutuar: – Nga të shkoj?

Shpresën e ushqejnë me shpresë, –

Pastaj shpresës i vrasin shpresën.

Vetëm pasqyrat ndryshojnë,

Teknologjia përsosëse e tyre, –

Fytyrat janë po ato.

Jo, ti, – hija jote shkrin në gotën me ujë

Diellin dhe kokrrën e aspirinës, –

Ke dhimbje të forta koke.

E di: zembereku i zemrës sime

Është pluhurosur , – kur do të vijë Ajo,

Me frymën e saj t’i fryjë,

Të ndjej ecjen tingëlluese të kohës.

Në qiellin e Tiranës, një unazë e zjarrtë

Fluturon nga syri në sy –

Kërkon gishtin e nuses.

Kërciti gonxhe e zambakut tek çelej,

Dhe marsi eci para meje.

Të paktën, o zot, akoma jemi njerëz

Respektojmë dallëndyshet dhe vdekjen.

******

ALARME TË PËRGJAKURA (KËNGA E PARË)

Mbi rrogozin prej kashte,

Ku netëve fle,

Shtrova

Dashurinë time…

Po prapë, brinjët t’i vret toka, plisi,

E prapë i fortë është te koka

Trungu prej lisi.

Hej, vend!

Plot diell e pa dritë!

Pagan dhe fron për perënditë!

Jetojmë ndër male të lartë,

Ku qiellin me dorë mund të zëmë

Dhe prapë:

Në ç’humnera kemi rënë!

Hej, vend!

Që ngjyrat e Jonit,

Erërat e portokallit me lule

Mbyll

Në një vorbë fasule.

Dhe ndihesh

I pasur në varfërinë tënde

I lirë në robërinë tënde…

Hej, vend,

Që prej dhimbjes po më bën të çmendem.

******

MARGARITË MOJ

… Shoqja ime, moj

me dy sy si nata të mëdhenj, të zez,

me bukurinë tonë të virgjër

vdekjen po ushqejmë

se kjo tokë ka ftohtë

mardhi

e ka ngrirë

Dhe ne biem mbi të, porsi bllaca zjarri,

Futemi nën dhè porsi rrënjë ëndrrash,

Që të vijë pranvera, që të vijë behari,

Toka përmbi ne e balta të shkrijë,

Ëndrrat të shpërthejnë, si shpërthen bari.

Dashuria jonë

Me dy sy si nata çuditërisht të zez,

Nga plumbat armike prerë mes për mes

Dashuri e lindur,

Dashuri e rritur

Nën qiejt e thyer të varfërisë shqiptare.

Dashuri tragjike

Për botën e madhe.

Margaritë, moj

Motra ime, moj,

Shoqja ime, moj.

(Këto vargje i kushtohen heroinës së popullit

Margarita Tutulani)

******

ÇAST BUZË JONIT

Dhe vargjet erdhën me ritme të kaltra

Nër degë të tyre figurat e gjelbra

Çelin – si gjethet nëpër portokalle.

Nën degëza vargjesh fëshfërijnë figurat,

Si mbrëmjes Jonit fletësat e ullinjve.

E mbusha gojën me erëra të Jonit,

Ndjej nëpër dhëmbë kokrizat e jodit,

Shoh se si thyhen mirazhet mes valësh,

Se si thërmohen përflakjet mes gurësh…

Dhe jam i tëri

grimca dritaresh e ngjyrash.

******

ATDHEU

Atdheu është dhimbje, është dhimbje.

Një prill i pikëlluar në shpirt.

Atdheu është kryqi, është kryqi.

E mban – dhe të mban ty – në shpirt.

Atdheu është toka e premtuar.

Ti shkel si një zot dhe s’e ke ndën këmbë

Atdheu s’ka fjalë, ka sy të trishtuar

Vdes dashuria në dashuri që të çmend.

Atdheu është buka e uritur,

të ikën nga duart e dot nuk e ngop

ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur

me sytë n’errësirë vetveten kërkon.

Atdheu është varr i hapur, është varr.

Një jetë drejt tij shkon me besë që bind.

Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë

Në një pikë loti lirinë e lind.

Atdheu yt i vogli, i vogli,

Ai hyjnori i pavdekshmi – loti.

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura