Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë për ditën e enjte vendimin, nëse do të zhvillohet apo jo referendum kombëtar për shfuqizimin e disa neneve të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. KQZ nuk mundi të marrë një vendim përfundimtar për kërkesën e Aleancës Kundër Importit të Mbetjeve, pasi në kërkesën e tyre janë evidentuar gabime në referencat ligjore. Gjatë diskutimeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kryetari Arben Ristani ka deklaruar se baza ligjore e kërkesës së AKIP nuk është korrekte. “Neni 85, pika 2, që i jeni referuar, flet për monitorimin e fushatës zgjedhore dhe pika 2 që ju thoni, ka të bëjë me Bordin e monitorimit të mediave. Nuk ka lidhje me kërkesën për referendum”, pohoi Ristani. Anëtarët e Aleancës Kundër Importit të Mbetjeve nuk kishin një përfaqësues ligjor dhe ata e prezantuan kërkesën e tyre nga ambientalisti Lavdosh Ferruni. “AKIP ka paraqitur në KQZ kërkesën për referendum kombëtar dhe për këtë ne kemi depozituar kërkesën tonë me 16 firma të grupit nismëtar, për t’u pajisur me fletën tip dhe më pas me mbledhjen e firmave të 50 mijë qytetarëve për shfuqizimin e neneve 22 dhe 49 të ligjit ‘Për menaxhimin e integruar të mbetjeve’”, deklaroi Feruni.
Përplasja ligjore
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Njazi Kosovrasti, ka evidentuar disa probleme në kërkesën e paraqitur nga ambientalistët. Sipas tij, gabimi në kërkesë ka qenë referenca ligjore, e cila është bazuar në Kodin Elektoral të vitit 2003 dhe jo në Kodin e ri të vitit 2008, për rrjedhojë nenet nuk korrespondonin me kërkesën e bërë për referendum. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PS-së, Eridjan Salianji, kërkoi që KQZ të pranojë kërkesën dhe të mos e rrëzojë çështjen me mënyra procedurale. Anëtari Artan Lazaj theksoi se gabimi në referencat ligjore është i qartë, por sipas tij KQZ-ja duhet t’i jepte një tjetër shans shoqërisë civile. Ndërkaq, në fund të mbledhjes, me unanimitet 6 anëtarët e KQZ-së vendosën t’i japin 2 ditë kohë shoqatës “AKIP” për të korrigjuar kërkesën e tyre.
50 mije
firma do të duhet të mbledhë Aleanca Kundër Importit të Mbetjeve, për të shfuqizuar 2 nenet e ligjit “Për menaxhimin e mbetjeve”.
Ambasadorja britanike në Shkodër
“Presim reforma nëse doni statusin”
Mbretëria e Bashkuar inkurajoi dje partitë politike të vazhdojnë rrugën e reformave, veçanërisht në dy komisionet, atë të reformës zgjedhore dhe ndryshimit të Rregullores së Kuvendit. Sipas ambasadores britanike, Fiona Meckwllham, përfundimi i dy reformave është jetik për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Meckwllham deklaroi dje gjatë një vizite në Shkodër se deputetët e angazhuar në këto procese duhet t’u faktojnë skeptikëve se Shqipëria është e vendosur për të vijuar reformat integruese dhe demokratizimin e institucioneve. “Fotot e rastit, shtrëngimet e duarve apo fjalët nuk do të mjaftojnë. Nëse Shqipëria do të arrijë statusin kandidat, ne partnerët dhe miqtë nga Bashkimi Europian kemi nevojë të shohim progres urgjent dhe të besueshëm në këto reforma kyçe”, deklaroi ambasadorja Meckwllham. “Mbretëria e Bashkuar dëshiron ta shohë Shqipërinë të ecë përpara me integrimin në BE në muajt e ardhshëm”, theksoi ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











