ELBASAN – Ndryshe nga ditët e fundit, kur plehrat kishin zaptuar veç kontejnerëve edhe trotuaret në rrugë, qyteti është gdhirë të martën i pastër. Më shumë se pesë mjete të Ndërmarrjes së Pastrimit kanë nisur një aksion për grumbullimin e të gjitha plehrave në qytet, aksion që ka vijuar deri në mesditë. Ndonëse Bashkia nuk ka dhënë një prononcim në lidhje me këtë shqetësim, i vetmi reagim që mësohet prej saj është se kjo situatë ka ndodhur për shkak të një problemi të vogël, por që nuk sqarohet se cili është problemi. Gjithsesi, për qytetarët elbasanas e rëndësishme është se tashmë qyteti do të jetë i pastër dhe për këtë kanë marrë garanci nga Bashkia. Tri ditë më parë, qyteti u mbush me plehra në qendër, rrugët dytësore, por edhe në lagje. Kjo situatë, e cila ishte thuajse në prag të shpërthimit të një epidemie, detyroi prefektin e qarkut, Shefqet Deliallisi, që të dilte në një konferencë për shtyp dhe të shprehte indinjatën për situatën e ndotjes së krijuar në qytet. Ai e cilësoi këtë situatë të atillë që po shkon drejt një emergjence civile. Ndonëse prefekti kërkoi mbledhjen urgjente të Këshillit Bashkiak për këtë situatë, e cila përsëritej për të dytën herë që nga fillimi i vitit. Menjëherë pas reagimit të prefektit, në rrugë dolën makinat e pastrimit, duke hequr të gjitha mbeturinat e lëna pirg prej ditësh. m.s











