
Drejtori i Agjencisë Rajonale të Mjedisit: Nuk përmbushën detyrimet
Agjencia Rajonale e Mjedisit gjobiti 3 kryetarë bashkish dhe dy komunash për mungesë mas-ash në menaxhimin e mbetjeve. Janë penalizuar me 500.000 lekë secili, krerët e Bashkisë së Kamzës, Kavajës, Rrogozhinës, si dhe kryekomunarët e Ndorqit e Kërrabës. Nga inspektimet në terren ka rezultuar se pushteti lokal nuk ka kryer detyrën që i ngarkon ligji për të përmbushur angazhimin e tyre. Sipas drejtorit të ARM-së, Afrim Tola, aksionet vazhdojnë, duke ndëshkuar jo vetëm bashkitë, por edhe ato firma të nënkontraktuara prej tyre në administrimin e mbetjeve. ”Në bashkitë dhe komunat që janë penalizuar janë gjetur mbeturina të hedhura anës rrugëve nacionale, në brigjet e lumenjve, të hedhura jashtë zonave të përcaktuara për hedhjen e mbeturinave”, tha Tola. Sipas tij, detyrimi kushtetues për të bërë menaxhimin e tyre i kushton pushtetit lokal. “Mbetjet urbane përbëjnë një ndër problemet më shqetësuese mjedisore në Shqipëri. Për një miradministrim të tyre, ne kemi tashmë një progres të dukshëm në aspektin e kuadrit ligjor. Shqipëria ka tashmë një strategji kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, po ashtu ne kemi një plan kombëtar veprimi, i cili po shoqërohet nga një sërë planesh rajonale të veprimit. Por situata aktuale tregon se nuk mjafton, ose nuk kanë vlerë këto hapa të ndërmarra nëse mjedisi nuk është i pastër”, tha drejtori i ARM-së. Sipas tij, hartimi i politikave për menaxhimin e integruar të mbetjeve, por edhe monitorimi i administrimit të mbetjeve, është një nga prioritetet e Ministrisë së Mjedisit”. Por, ne nuk mund të kemi sukses në këtë fushë, nëse nuk kemi edhe partneritetin qytetar, por kryesisht të pushtetit lokal, i cili e ka detyrë kushtetuese administrimin e mbetjeve. Pikërisht nga ky detyrim kushtetues rrjedh edhe ndëshkimi me gjobë i këtyre subjekteve, të cilët nuk kanë vepruar në përputhje me ligjin”, theksoi Tola.
janë gjobitur
Bashkitë
. Kamzë
. Kavajë
. RrogozhinëKomunat
. Ndorq
. Kërrabë
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











