Plehrat, gjoba për 9 kryetarë bashkish e komunash

Jan 27, 2012 | 12:58

Gjoba për nëntë kryetarë bashkish e komunash. Nga kontrollet e fundit, Ministria e Mjedisit e ka zgjeruar hartën e penalizimeve. Deri tani numri i gjobave në të gjithë vendin ka arritur në 52. Drejtuesit e pushtetit lokal nuk kanë marrë masa për pastrimin, grumbullimin dhe mirëmbajtjen e vend-depozitimeve të mbetjeve. Territoret që ata administrojnë kanë rezultuar mjaft të ndotura pas kontrolleve. Kësaj here, gjobat deri në 500 mijë lekë do t’i paguajnë kryetarët e bashkive dhe komunave të qarkut të Elbasanit, Fierit, Gjirokastrës, Durrësit dhe Kukësit. ”Kontrollet nga  Inspektorati i Mjedisit do të vazhdojnë në të gjithë territorin dhe do të merren masa administrative të dënimit me gjobë për të gjithë drejtuesit e njësive të qeverisjes vendore në territorin e të cilëve konstatohen paligjshmëri”, bëri me dije dje zyra e shtypit e Ministrisë së Mjedisit. Sipas këtij dikasteri, për të gjithë drejtuesit e njësive të qeverisjes vendore që do të vazhdojnë moszbatimin e ligjit edhe mbas sanksioneve të vendosura, do të bëhet kallëzim penal për ndotje të mjedisit si dhe kërkesë pranë Këshillit të Ministrave për lirim nga detyra. “Ka qenë mosmenaxhimi i saktë i territorit në lidhje me mbetjet urbane, mosmenaxhimi i landfilleve të tyre, hedhja e mbetjeve urbane në brigjet e lumenjve, liqeneve, në akset e rrugëve nacionale. Të gjitha këto bashki e komuna do t’i paguajnë gjobat, sepse ligji citon saktë që Inspektorati i Mjedisit do t’i çojë të gjitha gjobat në gjykatë dhe pas daljes së urdhrit të ekzekutimit, njësitë përmbarimore do t’i vjelin këto gjoba”, janë shprehur specialistët e Ministrisë së Mjedisit. Problemet me pastrimin e territorit në vendin tonë janë të bartura tashmë  prej vitesh. Plehra sheh anë e kënd vendit. Në krah të rrugëve nacionale, në zonat turistike, në bregdet.

Institucionet
Në qarkun e Gjirokastrës

• Në Bashkinë Përmet, 500 000 lekë, në emër të kryetarit të Bashkisë, Gilbert Jaçe
• Në Bashkinë Këlcyrë, 500 000 lekë, në emër të kryetarit të Bashkisë, Klement Ndoni.

Në qarkun e Fierit.
• Në Bashkinë Ballsh, 500 000 lekë, në emër të kryetarit  Ilir Çela.

Në qarkun e Elbasanit
• Në komunën Shirgjan, 500 000 lekë, në emër të kryetarit të komunës,  Mustafa Shehu.

Në qarkun e Durrësit
• Në Bashkinë Fushë-Krujë, 500 000 lekë, në emër të kryetarit Gjon Bardhi
• Në Bashkinë Krujë, 500 000 lekë, në emër të kryetarit Shkëlzen Hoxha
• Në komunën Gjopalaj, 500 000 lekë, në emër të kryetarit të komunës, Adrian Kokomani

Në qarkun e Kukësit
• Në komunën Zapod, 500 000 lekë, në emër të kryetarit të komunës,  Dan Koloshi
• Në komunën Topojan, 500 000 lekë, në emër të kryetarit të komunës,  Safet Myftari

© Panorama.al

Te lidhura