Dinamo luan sot fatet e një legjende. Blutë, pas 23 vjetësh, me një histori 60-vjeçare, duhet të luajnë një ndeshje shtesë për të mbijetuar në Kategorinë Superiore. Nuk është e lehtë, por për shumë arsye Dinamo duhet ta kalojë këtë sfidë, në mënyrë që të mos humbasë si skuadër. Sepse, nëse nesër i mund Besëlidhja dhe blutë zbresin një kategori më poshtë, Dinamo rrezikon të pësojë fatin e Partizanit, që sot ka ngelur pa klub dhe pa fusha stërvitje, duke u endur si “çifuti në shkretëtirë” në kërkim të një terreni. Nëse përsëri humbet, do të thotë që Dinamo të mos ekzistojë më e, bashkë me të dhe Akademia, të cilën prej vitesh e pat ngritur me shumë mund e djersë Ilir Daja. Dhe, të gjithë ata fëmijë, të dëshiruar për t’u bërë futbollistë, do të enden rrugëve. Por, me ikjen e Dinamos do t’i prishet dhe bukuria Kategorisë Superiore, i cili pasi nuk e ka më Partizanin, i zbritur tashmë në Kategorinë e Dytë, ka humbur shumë nga cilësia. E jo vetëm, por Tirana rrezikon të kthehet në një kryeqytet pa identitet, të paktën në futboll, sepse i ngel për lavdi në mes më të mirëve të topkëmbës shqiptare vetëm fanella bardheblu. Dhe, për të gjitha këto arsye, Dinamo duhet të fitojë për veten, por dhe për të tjerë. Por, në anën tjetër, edhe Besëlidhja, e cila është përgatitur fort për këtë ndeshje, kërkon të bëjë surprizën, sepse luan ndeshjen e saj të vitit.











