Platforma, Malaj: Kryetari i PS jo më shumë se një mandat

Jul 2, 2011 | 11:25
Malaj dje me studentet e UET

Arben Malaj kërkon kufizim të mandatit të të zgjedhurve të PS-së. Anëtari i Kryesisë socialiste bëri publike dje platformën e tij për një PS ndryshe përmes një bashkëbisedimi me studentë dhe pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës.Të pranishëm në këtë takim ishin: ish-presidenti i Republikës Rexhep Meidani dhe deputeti socialist Kastriot Islami. Në qendër të platformës së tij Malaj ka hapjen e partive politike në parim, e në veçanti të Partisë Socialiste, ndaj intelektualëve, të rinjve, grave dhe ngushtimin e hapësirave të të zgjedhurve të saj për të diktuar mandatin e tyre në forumet e kësaj partie. Pasi evidentoi defektet në sistemin politik shqiptar dhe në funksionimin e partive politike, Malaj përcakton dhe rrugët që duhen ndjekur për të pasur një opozitë konstruktive, por dhe një qeverisje të suksesshme dhe të përgjegjshme. Për të arritur këtë qëllim, sipas anëtarit të Kryesisë socialiste, kërkohet të vendoset parimi i votës së drejtpërdrejtë të anëtarit të partisë. “Zgjerimi i demokracisë së drejtpërdrejtë, funksionimi dhe drejtimi i partive mbi parime institucionale”, janë parimet kryesore për deputetin socialist, mbi të cilat duhet të ndërtohet një parti. Por, anëtari i Kryesisë socialiste, duke evidentuar defektet në drejtimin e PS-së, kërkon kufizim të mandatit të drejtuesit të saj, duke e mbrojtur pozicionin drejtues të tij nga personalizimi dhe injorimi i institucioneve. “Reduktimi i pushteteve të palimituara dhe të pakufizuara në qeverisjen e vendit dhe drejtimin e partive politike. Profesor Luan Omari ka disa propozime konkrete në këtë aspekt, duke propozuar që këto rregulla të funksionojnë edhe mbi kryetarët e partive në rastet kur qeverisin vendin; kufizimi i mandateve të tejzgjatura për të njëjtët individë në qeverisjen e vendit në nivel qendror dhe vendor, si dhe në drejtimin e partive”, thuhet në platformën e deputetit socialist. Në përpjekje për të shmangur disa fenomene që u vunë re në zgjedhjet e 8 majit në seleksionimin e kandidaturave për kryetarë bashkish dhe komunash, ku disa prej tyre që ishin në detyrë bënin presion për t’u rizgjedhur, sepse ndryshe do ta dëmtonin PS duke kandiduar si të pavarur, Malaj kërkon reduktim të çdo mandati. “Reduktimi i mandateve të njëkohshme qeverisëse dhe politike në pak duar. Asnjë individ në nivel vendor dhe qendror nuk duhet të ketë më shumë se një mandat përfaqësimi në qeverisje ose në parti. Asnjë përfaqësues me një mandat qeverisës në nivel vendor ose qendror nuk duhet të ketë edhe mandat drejtues partiak”, shprehet Malaj në dokumentin e tij të bërë publik dje. Gjatë bashkëbisedimit studentët dhe pedagogët e Universitetit kërkuan një zbërthim të kësaj platforme duke e konkretizuar me atë që ndodh në Partinë Socialiste sot, por dhe konceptin e tij rreth krizës politike, por dhe bojkotit të Parlamentit nga Partia Socialiste.
Vendimet
Anëtari i Kryesisë socialiste i ka kushtuar një vend të veçantë dhe vendimmarrjes së forumeve të Partisë Socialiste ndaj institucioneve. Duke e parë këtë qëndrim nga pozitat e të qenit maxhorancë parlamentare apo pakicë, Malaj synon që kjo vendimmarrje të mos dëmtojë interesat e vendit për qëllime të ngushta partiake apo personale. “PS duhet të ketë kushtetutën e saj të parimeve themelore dhe të rregullave me shumicë të cilësuar, për ta mbrojtur nga spontaniteti dhe keqpërdorimi individual; PS të qartësojë vendimmarrjen në çështje të rëndësishme politike, sidomos ndaj institucioneve kushtetuese të vendit. Në këto raste duhet të ketë votim në grupin parlamentar, bile mund të parashikohet votim me shumicë të cilësuar”, shprehet Malaj.

Sistemi

Anëtari i Kryesisë socialiste kërkon të aplikohet në vend një sistem tjetër zgjedhor, i cili do të stimulonte votën e drejtpërdrejtë. “Një sistem i ri elektoral mund ta rrisë fuqinë e votës së drejtpërdrejtë të votuesve shqiptarë për kandidatët për deputetë dhe për kandidatët për kryetarët e bashkive dhe komunave. Përzgjedhja e anëtarëve të këshillave/parlamentarëve vendorë, duhet të jetë e drejtpërdrejtë nga votuesit e tyre”, thuhet në platformën e Malajt.

Listat

Gara e hapur brenda partive politike duhet të jetë në qendër të funksionimit të tyre duke stimuluar në këtë mënyrë meritokracinë, sipas Malajt. “Partitë politike duhet të aplikojnë sisteme të vlerësimit të drejtpërdrejtë nga anëtarësia e përfaqësuesve të tyre në parlament dhe në qeverisjen vendore. Nuk duhet të ndodhë që lista e deputetëve të jetë gjëja më sekrete që ka një parti politike dhe që e ruan të tillë deri në minutën e fundit të afatit ligjor për t’u regjistruar”, shprehet Malaj.

Platforma e Malajt për modernizimin e PS

Zgjerimi i demokracisë së drejtpërdrejtë.

Funksionimi dhe drejtimi i partive mbi parime institucionale.

Reduktimi i pushteteve të palimituara dhe të pakufizuara në qeverisjen e vendit dhe drejtimin e partive politike.

Kufizimi i mandateve të tejzgjatura për të njëjtët individë në qeverisjen e vendit në nivel qendror dhe vendor, si dhe në drejtimin e partive.

Reduktimi i mandateve të njëkohshme qeverisëse dhe politike në pak duar. Asnjë individ në nivel vendor dhe qendror nuk duhet të ketë më shumë se një mandat përfaqësimi në qeverisje ose në parti. Asnjë përfaqësues me një mandat qeverisës në nivel vendor ose qendror nuk duhet të ketë edhe mandat drejtues partiak.

Harmonizimi më i mirë i kontributeve me eksperiencë dhe energji pozitive të të rinjve në çdo strukturë organizative të partive politike. Rifreskimi i elitave dhe drejtuesve të vendit të jetë një parim themelor i pacenuar nga interesa personale.

Ndërtimi dhe garantimi i sistemit të meritokracisë, nxitja për angazhim të përhershëm, rritja e përkushtimit dhe përgjegjësisë për mandatet qeverisëse dhe partiake lidhen ngushtë me rritjen e efikasitetit të kontribuesve në angazhimet publike.

Ndarja e postit të ministrit nga ajo e deputetit, e deputetit nga ajo e kryetarit të partisë në nivel vendor, ndarja e postit të kryetarëve të bashkive dhe komunave nga ajo e kryetarit të partisë në çdo nivel, kufizimi i anëtarëve në forumet drejtuese të partive politike që vijnë nga mandate qeverisëse, do të rrisin mundësitë për hapjen reale të partisë.

Partitë politike duhet të aplikojnë sisteme të vlerësimit të drejtpërdrejtë nga anëtarësia e përfaqësuesve të tyre në parlament dhe në qeverisjen vendore. Nuk duhet të ndodhë që lista e deputetëve të jetë gjëja më sekrete që ka një parti politike dhe që e ruan të tillë deri në minutën e fundit të afatit ligjor për t’u regjistruar.

Një sistem i ri elektoral mund ta rrisë fuqinë e votës së drejtpërdrejtë të votuesve shqiptarë për kandidatët për deputetë dhe për kandidatët për kryetarë të bashkive dhe komunave. Përzgjedhja e anëtarëve të këshillave/parlamentarëve vendorë duhet të jetë e drejtpërdrejtë nga votuesit e tyre.

PS duhet të ketë kushtetutën e saj të parimeve themelore dhe të rregullave me shumicë të cilësuar për ta mbrojtur nga spontaniteti dhe keqpërdorimi individual.

PS të qartësojë vendimmarrjen në çështje të rëndësishme politike, sidomos ndaj institucioneve kushtetuese të vendit. Në këto raste duhet të ketë votim në grupin parlamentar, bile mund të parashikohet votim me shumicë të cilësuar.

Ne duhet të ulim pragun bllokues për referendume në parti, kur duhet të diskutohet me anëtarësinë e saj për sfida të rëndësishme me të cilat përballet vendi apo forca politike.

Duhet të reduktojmë çdo shumicë bllokuese ndaj propozimeve alternative për vendimmarrje politike apo për propozime alternative për drejtuesit e PS në nivel vendor dhe qendror.

Rritja e demokracisë, rritja e transparencës nuk e bën më të lehtë drejtimin e partive politike dhe qeverisjen e vendit, por e bën më të efektshme.

Meidani: Mbështes çdo lëvizje për reformim politik

Ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, i pranishëm dje në bashkëbisedimin që anëtari i Kryesisë socialiste Arben Malaj zhvilloi me studentët e Universitetit Europian të Tiranës, tha se do të mbështesë çdo lëvizje që reformon partitë dhe jetën e vendit. Sipas tij, reformimi që kërkohet të realizohet përmes këtyre përpjekjeve është kundër drejtimit të personalizuar të individit. “Unë do të mbështes çdo lëvizje për reformim politik, për reformimin institucional dhe në mënyrë të veçantë çdo lëvizje ku ndërtohet diversiteti nëpërmjet solidaritetit, dhe gjithashtu qeverisja realizohet përmes kolegjialitetit dhe jo unit të individit dhe komandës së individit”, u shpreh Meidani, duke iu përgjigjur interesit të mediave pas takimit me studentët dhe pedagogët. Meidani nuk e ka cilësuar këtë takim si një lëvizje politike brenda PS, por si një përpjekje për emancipimin dhe modernizimin e partive politike shqiptare. “Nuk mund të flas për një lloj lëvizje apo një tjetër, po flas për disa parime demokratike për të cilat ka nevojë jo vetëm jeta partiake shqiptare, por dhe jeta institucionale shqiptare”, u shpreh Meidani. Ish-presidenti, dikur eksponent i lartë në Partinë Socialiste, anëtar i Asamblesë Kombëtare të saj, ka qenë mjaft kritik ndaj veprimeve të ndërmarra nga lidershipi i saj pas zgjedhjeve parlamentare të 2009-s. Ai është shprehur kundër bojkotit të zgjatur të deputetëve të PS-së ndaj Parlamentit, por dhe kundër kandidimit të Edi Ramës për mandatin e katërt të tij për Bashkinë e Tiranës.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura