Basha: I japim fund klimës së mosbesimit, më pranë qytetarëve.
Projekti i Tiranës metropolitane merr mbështetjen e bashkive dhe komunave përreth. Kryeqyteti do të shtrihet përtej vijës së verdhë dhe bashkëpunimi me institucionet e qeverisjes vendore është domosdoshmëri për të vënë në zbatim planin e ri urbanistik. Ky plan pritet të jetë gati në maj të vitit që vjen. Dje, nën drejtimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, u zhvillua mbledhja e radhës e grupit strategjik për hartimin e tij. Në këtë mbledhje ishin të pranishëm edhe kryetarët e bashkive dhe komunave përreth Tiranës, të cilët mirëpritën propozimin e grupit strategjik që studimi dhe plani rregullues të shtrihen përtej kufijve administrativë të kryeqytetit. Që në nisje të mbledhjes u nënshkrua Protokolli i Bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës, Bashkisë Kamzë, Komunës Paskuqan, Komunës Dajt, Komunës Farkë, Komunës Kashar, Komunës Vaqarr dhe në prani të Këshillit të Qarkut Tiranë. Ky Protokoll Bashkëpunimi parashikon që plani strategjik dhe rregullues i zhvillimit urban të Tiranës të shtrihet edhe në pjesë të konsiderueshme të territoreve të njësive vendore që kufizojnë kryeqytetin.
“Fatkeqësisht, zhvillimi urban i viteve të fundit ka ndodhur në një klimë të thellë mosbesimi, mosbesim ky i reflektuar në mënyrë të veçantë mes njësive vendore të metropolit dhe jo e pastimuluar shpesh nga vetë aktorët, duke filluar me vetë Bashkinë e Tiranës. Dukshëm, kjo qasje nuk ka pasur pasoja pozitive por vetëm negative, ndaj zhvillimi urban i metropolit thërret për një klimë të re të planifikimit të territorit, për t’i kthyer atij sigurisht edhe klimën e duhur të zhvillimit ekonomik, si synim parësor i Bashkisë së Tiranës”, tha Basha. Ai vlerësoi në këtë mbledhje ecurinë e deritanishme të procesit të hartimit të planit urbanistik, si dhe rolin aktiv të grupit strategjik për të trajtuar çështje të rëndësishme që qëndrojnë në themel të hartimit të planit urban për qytetin e Tiranës. Kryebashkiaku nënvizoi edhe në këtë mbledhje vendosmërinë për të dëgjuar zërin e publikut në trajtimin e planit urbanistik, me gjithë ngarkesën dhe përgjegjësinë që mbart ky proces. Për këtë arsye, Basha kërkoi nga grupi strategjik të diskutojë mbi ndërtimin e një procesi konsultimi publik, të strukturuar dhe transparent për të gjitha çështjet që kemi diskutuar deri më sot. “Procesi i konfrontimit me mendimin qytetar dhe marrja, dëgjimi i zërit qytetar, është për ne jo një formalitet, por një domosdoshmëri. Vetë përbërja e këtij grupi strategjik dëshmon vullnetin e Bashkisë së Tiranës, vullnet i sinqertë për të vlerësuar mendimin qytetar, prandaj kërkojmë sot mirëkuptimin dhe aprovimin e grupit strategjik, kontraktimin e moderuesve neutralë dhe profesionistë të procesit konsultativ”, tha Basha.
6 komuna
dhe 2 bashki nënshkruan dje protokollin e bashkëpunimit për planin e ri urbanistik të Tiranës. Mbledhja e grupit strategjik u zhvillua dje.
Protokolli i Bashkëpunimit:
Bashkia TiranëBashkia Kamzë,
Komuna Paskuqan,
Komuna Dajt,
Komuna Farkë,
Komuna Kashar,
Komuna Vaqarr
Panariti: Bizneset të bëjnë oferta për festa
Bizneset të aplikojnë politikat e ofertave me rastin e festave. Kësaj here sugjerimi ka ardhur nga Bashkia e Tiranës. Gjatë inspektimeve për afishimin e çmimeve të mallrave ushqimore në tregje është vënë re qëndrueshmëri krahasuar me vitet e kaluara. Autoritetet e Bashkisë, pas apelit që u kanë bërë tregtarëve për të rritur transparencën ndaj qytetarëve, i janë rikthyer tregut në sheshin “Avni Rustemi”. “Kemi një qëndrueshmëri të çmimeve për të gjithë artikujt bazë të shportës, po kështu dhe për frutat e perimet. Kjo është një tendencë shumë pozitive, tregon që bizneset dhe tregtarët i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes sonë për të mos ndryshuar çmimet. Pa dyshim kjo është e leverdishme edhe për ta, se krijon një marrëdhënie të qëndrueshme besimi me konsumatorët”, tha Edmond Panariti, nënkryetari i Bashkisë. Ai inkurajoi të gjitha bizneset që të bëjnë skonto në këtë periudhë, dhe ta kenë politikë të vazhdueshme të biznesit të tyre, që kohë pas kohe të aplikojnë skonto. “Skontoja, siç e thashë, është diçka që i jep fisnikëri biznesit dhe forcon marrëdhënien e besimit mes biznesit dhe konsumatorit”, tha Edmond Panariti, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











