Gjermania dhe Franca kanë pohuar dje frikën se plani i tyre urgjent për sistemimin e eurozonës, i cili ka si pikë qendrore ndryshimin e traktateve të BE-së, mund të mos miratohet në samitin e kësaj fundjave në Bruksel. Deklarata e tyre u bë pas komentit të presidentit të Këshillit Europian, Herman van Rompuj, i cili tha se nuk është e nevojshme të ndryshohen traktatet paraprake për të vendosur rregulla të reja më të forta në BE. Në raportin që do të lexohet i pari gjatë samitit të së enjtes, Rompuj pritet të kërkojë “kompaktësi fiskale”, që nuk kërkon ratifikim të gjerë nga parlamentet ose me anë të referendumeve. Zyrtarët francezë u shprehën se si ata, si pala gjermane, nuk do të largohen nga samiti derisa të arrihet marrëveshja e “fuqishme”. Por zyrtarët gjermanë janë shprehur më të ftohtë në lidhje më këtë pikë, duke komentuar se hapi i parë në këtë marrëveshje nuk ka gjasa të miratohet para Krishtlindjeve. Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, shefi i Bankës Qendrore Europiane, Mario Dragi dhe sekretari amerikan i Thesarit, Timoti Geithner, kanë nisur takimet e tyre në përpjekje për t’i dhënë fund dramës së financave në eurozonë, e cila parashikohet të ndikojë në formimin e një faze të re dhe më të rrezikshme recesioni në mbarë botën. Presidenti francez, Sarkozi, paralajmëroi se nëse samiti dështon, “bota nuk do të presë për Europën”, duke i dhënë fund eurozonës. Geithner ka nisur një turne në Europë ku do të takohet me zyrtarë francezë, spanjollë, gjermanë dhe italianë për krizën e euros. SHBA i mbështeti planet franko-gjermane. Por, sekretari Geithner përsëriti qëndrimin e Presidentit Obama, se BE duhet t’i zgjidhte vetë problemet e saj, duke u shprehur se “Rezerva Federale Amerikane nuk kishte në plan të ndihmonte FMN-në për t’u dhënë borxhe vendeve europiane”.
Greqi, OK buxhetit
Parlamenti grek miratoi dje buxhetin e ashpër të vitit 2012, me synimin për të ulur deficitin e lartë buxhetor. Seanca e gjatë e votimit, e cila u shoqërua me shumë debate mes politikanëve, u pasua nga protesta të reja në Athinë. Ky buxhet pritet të shkurtojë me 5,4 për qind deficitin buxhetor të Greqisë.
Kameron
Kryeministri britanik, David Kameron, duke u përpjekur të evitojë me çdo kusht mbajtjen e një referendumi për qëndrimin e vendit të tij në BE, tha se ai do t’i vërë veton çdo plani për një traktat të ri në BE, nëse liderët e tjerë europianë nuk bien dakord me një listë të kërkesave britanike. “Britania është anëtare e BE-së. Ne dëshirojmë të zgjidhet kriza e euros, por njëkohësisht do të mbrojmë interesat britanikë”, tha Kameron.











