Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po shqyrtojnë një plan të përkohshëm për ndarjen e Gazës në dy zona, njëra nën kontrollin izraelit dhe tjetra të Hamasit. Sipas këtij plani, rindërtimi do të ndodhë vetëm në zonën që kontrollohet nga ushtria izraelite (IDF), ndërsa pjesa e mbetur do të përjashtohet nga investimet, deri në afrim të çarmatosjes dhe largimit të Hamasit nga pushteti.
Plani u prezantua në Izrael nga zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance dhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, të cilët ndodhen në rajon për të shtyrë palët drejt respektimit të armëpushimit, i arritur më 10 tetor me ndërmjetësimin e administratës Trump.
Sipas Kushner, rindërtimi do të përqendrohet në pjesën që kontrollohet nga Izraeli, për të krijuar një “Gazë të re”, ku palestinezët mund të jetojnë dhe punojnë.
“Nuk do të ketë fonde për zonat nën kontrollin e Hamasit,” tha ai.
Vance shtoi se aktualisht Gaza ndahet në dy pjesë: një zonë më të sigurt dhe një zonë të rrezikshme, dhe objektivi është zgjerimi i hapësirës së sigurt. Sipas tij, Izraeli kontrollon rreth 53% të territorit të Gazës.
Kundërshtim nga vendet arabe
Plani ka shkaktuar shqetësim te ndërmjetësit arabë, të cilët paralajmërojnë se ndarja territoriale mund të nënkuptojë prani të përhershme izraelite në enklavë dhe kanë refuzuar të angazhohen për dërgimin e forcave për sigurinë.
Një zyrtar i lartë amerikan tha se bëhet fjalë për një ide fillestare, dhe më shumë detaje priten në ditët në vijim.
Qeverisje post-Hamas dhe sfida logjistike
Plani i propozuar nga Kushner dhe i mbështetur nga Trump, përfshin krijimin e një komisioni teknokratësh që do të administrojë Gazën, si dhe një forcë ndërkombëtare sigurie — por pa detaje konkrete deri tani. Shumë vende arabe kërkojnë që administrimin ta marrë Autoriteti Palestinez, por kjo ide kundërshtohet ashpër nga kryeministri izraelit Netanyahu.
Një ndër shqetësimet kryesore është mënyra se si do të garantohet siguria në zonën izraelite dhe ndalimi i infiltrimit të militantëve të Hamasit. Zyrtarë amerikanë kanë propozuar krijimin e një programi të kontrollit të identitetit nën drejtimin e Izraelit.
Reagime dhe perspektiva të ndryshme
Analistë izraelitë e shohin planin si një mundësi për të dobësuar Hamasin përmes zhvillimit dhe izolimit të territorit që ai kontrollon.
“Izraeli mund të fitojë terren politikisht dhe ushtarakisht, nëse Hamas nuk tërhiqet,” tha Ofer Guterman, studiues i sigurisë kombëtare në Tel Aviv. Ai shtoi se ndarja nuk do të jetë e përhershme, por një mjet presioni.
Megjithatë, reaksioni palestinez pritet të jetë i ashpër. Sipas analistes së Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, Tahani Mustafa, palestinezët e shohin Gazën si territorin e vetëm të pandarë që mund të bëhet pjesë e një shteti të ardhshëm palestinez.
“Ky plan e kthen në realitet atë që palestinezët kanë frikë prej kohësh, kontroll të plotë izraelit dhe ndarje të përhershme,” tha ajo.
Situata në terren: Hamas forcon kontrollin
Ndërkohë, Hamas nuk ka pranuar të çarmatoset, dhe sipas raportimeve, ka rritur represionin ndaj kundërshtarëve për të ruajtur kontrollin. IDF raporton për disa incidente ku luftëtarë të Hamasit kanë hapur zjarr ndaj ushtarëve izraelitë.
Pavarësisht armëpushimit, situata mbetet e brishtë, dhe Uashingtoni e konsideron ruajtjen e qetësisë si përparësi kryesore. Për këtë arsye, në Izrael janë dërguar figura kyçe si Vance, Kushner dhe emisari Steve Witkoff, ndërsa Sekretari i Shtetit Marco Rubio pritet të mbërrijë të enjten.
© Panorama.al












