
Një borxh i vjetër prej 10 mijë eurosh ka qenë shkaku i plagosjes së rëndë që ndodhi mbrëmjen e së dielës tek “Ura e Zezë”, në aksin Peqin – Elbasan.Grupi i hetimit hodhi poshtë hakmarrjen dhe xhelozinë, dy pista ku dhe u përqendrua, pas plagosjes së rëndë të 34-vjeçarit Ardjan Duraku, me një plumb në kokë. Burimet e policisë bënë të ditur se nga hetimi i kryer ka rezultuar se shkak i plagosjes me armë zjarri i Durakut ka qenë një borxh i vjetër prej 10 mijë eurosh që ai u ka pasur tre personave, tashmë të arrestuar.
Kalimtarë të rastit e gjetën të plagosur rëndë viktimën në orët e vona të së dielës, ku ai kishte ndaluar makinën me bllokazh të ndezur. Policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe konstatoi se personi i plagosur ishte 34-vjeçari Ardjan Duraku, me banim në lagjen “5 Maji”. Ai u gjet brenda mjetit me një plagë në kokë. Pas ngjarjes, policia nisi hetimet dhe arriti të identifikonte dhe të arrestonte tre persona: Robert Hysa, 28 vjeç, banues në komunën Pajovë; Albert Hysa, 27 vjeç, po nga Pajova dhe Ibrahim Nurja, 20 vjeç, nga fshati Gjyralë të Elbasanit. “Këta tre shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë qëlluar me armë gjahu në kokë, nga pas makinës, Ardian Durakun, i cili në momentin e plagosjes ndodhej brenda në automjetin e tij të tipit ‘Opel’ me targë EL 8260 B”, bëri të ditur Policia e Elbasanit. Ndërkaq, burime policore pohuan se po punojnë për kapjen e bashkëpunëtorit të katërt të përfshirë në këtë krim, i cili është identifikuar. Gjatë kontrollit të banesës së tre të arrestuarve u sekuestrua një armë gjahu, e cila dyshohet të jetë përdorur në momentin e krimit, dy armë zjarri automatik, si dhe një sasi fishekësh. Mësohet se tre të rinjtë e kanë ndjekur 34-vjeçarin dhe pasi ai ka ndaluar, e kanë qëlluar me një armë gjahu çifte pas kokës. Policia ende nuk ka dalë në një deklaratë se cili nga personat e arrestuar ka qëlluar me armë, ndërsa në komunikatën zyrtare pohohet se të tre shtetasit e arrestuar janë bashkautorë të veprës penale “plagosje e rëndë me dashje”. Për shkak të gjendjes së rëndë, i plagosuri është nisur dje me urgjencë për në Spitalin Ushtarak në Tiranë. I riu nga Elbasani nuk njihej nga policia si person me precedentë penalë. Sipas burimeve, viktima punonte si rojë prej dy vitesh në pikën e grumbullimit të automjeteve që sekuestrohen nga policia.
ELBASAN/ MIRANDA SADIKU











