
TIRANE – Një numër prej rreth 20 personash janë shoqëruar në Komisariatin Nr.1 të policisë së Tiranës, gjatë hetimeve në lidhje me plagosjen e vëllait të kandidatit të PD për komunën e Farkës. Personat e shoqëruar kanë qenë kryesisht militantë të Partisë Socialiste në Farkë, por ndonëse ata janë pyetur për disa orë, ngjarja e ndodhur mbrëmjen e së dielës mbetet ende pa autor. Burime nga policia thanë se pranë vendit ku ndodhi ngjarja, në afërsi të kthesës së Farkës, pranë një karburanti, është gjetur edhe një levë hekuri, me të cilën dyshohet se është goditur në kokë 49-vjeçari Gani Plaku, vëllai i kryekomunarit aktual Fatbardh Plaku. Shufra prej hekuri është sekuestruar dhe është dërguar për ekzaminim në laboratorin e kriminalistikës, në mënyrë që të fiksohet ndonjë gjurmë e autorëve. Policia e Tiranës foli dje zyrtarisht për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së dielës në Farkë rreth orës 21:40. “Autorët dyshohet se kanë ndjekur lëvizjet e 49-vjeçarit Plaku dhe në afërsi të një karburanti, në kthesën e Farkës e kanë goditur me mjete të forta në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar dëmtime. Aktualisht, nga strukturat e hetimit të krimit të policisë së kryeqytetit, po punojnë intensivisht në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të zbardhur tërësisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje, më qëllim për të identifikuar dhe kapur autorët”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë së Tiranës. I plagosuri, Gani Plaku, ka lënë dje Spitalin Ushtarak, pasi ka marrë mjekimin e nevojshëm dhe, sipas mjekëve, veç plagëve të tjera në trup, 49-vjeçari ka pasur një plagë më të rëndë në kokë, por pa rrezik për jetën. Vetë i dëmtuari ka deklaruar për policinë se nuk ka arritur të identifikojë autorët për shkak të errësirës, por ka dhënë një përshkrim të përafërt për katër personat që e kanë sulmuar. Sipas tij, ata kanë zbritur nga dy makina luksoze dhe e kanë goditur duke e lënë të plagosur, më pas janë larguar. Gani Plaku e konsideron ngjarjen si një sulm politik, për rikandidimin e vëllait të tij Fatbardh Plaku, si kryetar i Komunës së Farkës.











