
Shoqërohen dhjetë persona të afërm të shtetasit të vrarë në shkëmbim zjarri me policinë në Vlorë në 1998.
Një përplasje me armë kur ishte efektiv i Forcave Speciale në Vlorë në vitin 1998, dyshohet se ka qenë shkak i atentatit me armë ndaj oficerit të Policisë Rrugore, Nasim Hyska, i plagosur të shtunën në Tiranë. Polici 46-vjeçar që po lufton me vdekjen pasi ka marrë një plumb në kokë, ishte përfshirë për shkak të detyrës në një ngjarje që ka ndodhur 13 vjet më parë, kur ai ishte efektiv i Forcave Speciale. Burime nga grupi hetimor thanë dje se plagosja e 46-vjeçarit Hyska dyshohet të ketë ndodhur si hakmarrje në lidhje me detyrën që ai ka ushtruar në Vlorë në vitin 1998. Në këtë kohë, gjatë një aksioni mbeti i vrarë një person me precedentë penalë, që kërkohej për t’u shoqëruar në rajon nga forcat e Policisë. Hetuesit nuk bëjnë të ditur emrin e personit që u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e Policisë, për shkak të sekretit hetimor. Por sipas burimeve, autori që tentoi vrasjen e Naim Hyskës mund të arrestohet shumë shpejt. Në lidhje më këtë ngjarje Policia e Vlorës ka shoqëruar dje dhjetë persona, kryesisht të afërm dhe miq të personit që u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, pasi dyshohet se mund të kenë dijeni për plagosjen e efektivit në Tiranë. Ndërsa edhe në kryeqytet janë shoqëruar disa persona, dëshmitarë, të afërm dhe persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, si dhe kolegë aktualë dhe efektiva që kanë punuar në Vlorë me 45-vjeçarin Hyska. Grupi hetimor ka marrë në shqyrtim edhe dosjen e personit të vrarë 13 vite më parë në qytetin bregdetar, pasi mund të gjenden elementë të rëndësishëm për zbardhjen e atentatit të dy ditëve më parë.
HETIMI
Burime nga Policia e Tiranës thanë dje se pista e vetme ku është përqendruar grupi hetimor për zbardhjen e motiveve të plagosjes së efektivit Naim Hyska lidhet me detyrën e tij si efektiv i Forcave Speciale në Vlorë gjatë viteve 1996-1998. Hetimet për ngjarjen janë përqendruar në këtë drejtim, por duke mos lënë pa marrë në konsideratë edhe ndonjë incident të mundshëm që ai mund të ketë pasur në Tiranë. Personat e parë që janë marrë në pyetje menjëherë pas ngjarjes, kanë qenë kolegët e 45-vjeçarit Hyska, me të cilët ai ka qenë në aksion 13 vjet më parë, kur mbeti i vrarë një person me precedentë penalë. Burime të rezervuara nga grupi hetimor thanë se efektivat e grupit operacional kanë deklaruar se gjatë kohës kur po kryhej aksioni në terren, mes viktimës dhe policisë ka pasur shkëmbim zjarri. Për këtë arsye, edhe policia është detyruar të qëllojë, pasi nuk bëhej fjalë vetëm për një person të armatosur. Sipas tyre, përveç personit që mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, ka pasur edhe persona të tjerë që qëllonin në drejtim të policisë. Sipas grupit hetimor, dyshohet se atentati ndaj policit rrugor Naim Hyska mund të jetë porositur nga të afërm të viktimës dhe personat që kanë qenë bashkë me të natën kur ai mbeti i vrarë, të cilët kanë identifikuar efektivat që ishin në aksion.
ATENTATI
Efektivi i Policisë Rrugore, Naim Hyska, u qëllua mbrëmjen e së shtunës me plumb në kokë, në afërsi të banesës së tij, te kryqëzimi i “21 Dhjetorit” në Tiranë, kur po kthehej në shtëpi bashkë me djalin e tij 12-vjeçar. Sipas burimeve nga Policia, autori i ngjarjes i kishte zënë pritë pranë banesës, në rrugicën që të çon te Njësia Bashkiake Nr.7 dhe kanë pasur si qëllim vrasjen e tij. Goditja ka qenë tejshpuese. Plumbi i vetëm me të cilin është qëlluar i ka hyrë dhe i ka dalë nga koka, duke i shkaktuar rënien në gjendje koma 45-vjeçarit, baba i tre fëmijëve. Duke menduar se e ka realizuar vrasjen, autori është larguar nëpër rrugicat e zonës, pa mundur të identifikohet nga ndonjë dëshmitar për shkak të errësirës.
Përshkrimi për autorin
Dëshmitarët e shoqëruar nga policia menjëherë pas plagosjes së oficerit të sallës operative të Policisë Rrugore kanë dhënë disa përshkrime në lidhje me autorin e mundshëm të plagosjes së Naim Hyskës. Atentatori mësohet se ka qenë pa maskë, dhe sipas përshkrimeve të dhëna nga personat okularë në vendngjarje, në moshë të re dhe me një trup mesatar.
Kamerat e një kazinoje dyshohet se filmuan autorin
Polici u qëllua në sy të djalit, sekuestrohen tri kamera sigurie
TIRANE – Tri kamera sigurie janë shpresa e policisë për identifikimin e autorëve të plagosjes së policit Naim Hyska. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, menjëherë pas plagosjes së efektivit Naim Hyska, policia ka konstatuar se pranë vendit të atentatit ndodheshin 3 subjekte të pajisura me kamera sigurie. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se janë sekuestruar 3 kamera sigurie, në një kazino dhe dy dyqane që ndodheshin pranë rrugicës ku ndodhi plagosja e 45-vjeçarit Hyska. Verifikimi i pamjeve filmike pritet që të kryhet sot nga një grup ekspertësh, për të marrë sa më shumë të dhëna rreth identitetit të personit. Të njëjtat burime thanë se rrugica ku ka ndodhur ngjarja ka ndriçim të dobët dhe pamjet filmike mund të mos jenë shumë të qarta. Megjithatë, do të ndihmojë për përcaktimin e disa të dhënave fizike rreth tij, moshës, gjatësisë etj. Gjithashtu mjaft i rëndësishëm për grupin hetimor është edhe drejtimi që ka marrë i dyshuari pas kryerjes së atentatit, gjë që mund të jetë fokusuar nga kamerat e sigurisë. Duke qenë se ende nuk është përcaktuar saktësisht nëse autori ka lëvizur në këmbë apo me ndonjë mjet, qoftë kur ka shkuar në zonë për t’i zënë pritë efektivit të Rrugores, apo kur është larguar pasi ka kryer plagosjen e tij. Edhe ky fakt mund të zbardhet nëpërmjet kamerave të sigurisë. Por, të gjitha këto detaje do të zbardhen sot pasi të këqyren tri kamerat e sekuestruara të vendosura në tre kënde të ndryshme të vendit të ngjarjes.
Polici i plagosur në gjendje kome, në rrezik
Mjekët: Dje dha reagimet e para

TIRANE – Naim Hyska vazhdon të qëndrojë në reanimacionin e Spitalit Ushtarak në gjendje kome dhe në rrezik për jetën. Familjarët e tij, bashkëshortja, vajza dhe dy djemtë, por edhe të afërm të tjerë kanë më shumë se 24 orë që presin me ankth mbrapa derës së reanimacionit, për të marrë ndonjë përgjigje pozitive nga mjekët. Gjendja e tij vazhdon të jetë mjaft kritike. Mjekët i kanë kryer një ndërhyrje kirurgjikale mjaft delikate në kokë që prej mbrëmjes së të shtunës kur ai mbeti i plagosur rëndë në atentat, por ai vazhdon të qëndrojë në terapi intensive. Sipas mjekëve, goditja në kokë ka qenë tejshpuese. Është konstatuar një vrimë hyrëse në anë dhe një tjetër vrimë dalëse në pjesën e pasme të kokës. Goditja ka qenë mjaft e rëndë sipas mjekëve dhe ai vazhdon të qëndrojë në observim. Familjarët janë lejuar një nga një që ta vizitojnë në reanimacion, por nuk kanë mundur të marrin asnjë shenjë nga ai. Sipas stafit mjekësor që po kujdeset për 45-vjeçarit, organizmi i tij ka reaguar pozitivisht ndaj mjekimit, duke dhënë dy herë shenja përmirësimi, por megjithatë është herët për të thënë nëse e ka kaluar rrezikun për jetën. Shëndeti i tij mbetet shumë delikat dhe sipas mjekëve terapia intensive në reanimacion mund të zgjasë edhe disa ditë, duke shpresuar që të dalë nga gjendja e komës. Plumbi ka dëmtuar një arterie në kokë dhe për këtë arsye Hyska ka humbur shumë gjak. Prandaj dje kanë dhuruar gjak për të familjarët e tij.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











