Plagosja e pedagogut, autori i dytë shpallet në kërkim

Jan 25, 2012 | 12:38

Fakulteti i gjuheve te huaja

Tiranë, ministri Tafaj e rektori Kule dënojnë dhunën mbi Nonda Varfin

Një person i dytë është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës me akuzën e plagosjes së pedagogut të Gjuhëve të Huaja, Nonda Varfi. Pas arrestimit në flagrancë të 34-vjeçarit Algert Kalica, burimet thanë se është shpallur në kërkim edhe bashkëpunëtori i tij, Gëzim Hasani. Policia ka pohuar se në deklarimet që ka dhënë në polici personi i arrestuar, mësohet të ketë mohuar autorësinë e ngjarjes, duke deklaruar që ishte personi tjetër ai që dhunoi pedagogun Varfi. Burime nga grupi hetimor konfirmuan se si provë mjaft të rëndësishme për ngjarjen e së hënës kanë sekuestruar kamerat e sigurisë, të cilat kanë filmuar të gjithë incidentin që ka ndodhur mes profesorit Nonda Varfi dhe dy personave të tjerë. Nga këqyrja e pamjeve filmime të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, sipas Policisë, duket qartë momenti kur pedagogu debaton me dy persona të tjerë dhe njëri i zgjat një shumë parash, të cilat ai i refuzon. Personi që i zgjat paratë profesorit Varfi, sipas hetimit, është i arrestuari Algert Kalica dhe shuma e parave është 100 mijë lekë të rinj. Nga dëshmia që ka dhënë për oficerët e policisë së Komisariatit Nr. 1 nga spitali ku vazhdon të marrë mjekim, pedagogu i plagosur deklaron se Kalica po kërkonte ta korruptonte për të filluar punë si pedagog i gjuhës frënge në fakultet. Sipas Varfit, në momentin që ka refuzuar ryshfetin, dy personat e kanë dhunuar dhe për pasojë ka thyer krahun në pjesën e shpatullës. Policia tha se i arrestuari Algert Kalica dhe bashkëpunëtori i tij i shpallur në kërkim, Gëzim Hasani, akuzohen për “plagosje të rëndë me dashje”, “dëmtime të tjera me dashje” për shkak të detyrës, si dhe “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
DHUNA NE FAKULTET
Ish-zv.rektori Nonda Varfi, kandidat jozyrtar për postin e dekanit të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, është dhunuar fizikisht nga një ri që nuk fitoi pozicionin e pedagogut në këtë fakultet. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj dhe rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, reaguan paraditen e djeshme në lidhje me plagosjen e pedagogut Nonda Varfi, duke dënuar dhunën në ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Ministri i Arsimit, Myqerm Tafaj, dënon dhunën e ushtruar ndaj profesorit të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Nonda Varfi. Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Tafaj ka biseduar me profesor Varfin duke u interesuar dhe shqetësuar për gjendjen e tij, dhe e cilëson dhunën e ushtruar ndaj tij si një rast të paprecedent, si një ngjarje të shëmtuar.
Edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, e ka cilësuar një akt të turpshëm dhe konfirmon se Nonda Varfi nuk ishte pjesë e komisionit përzgjedhës, ndërsa i riu dhunues nuk plotësonte kriteret për t’u përzgjedhur si pedagog. Mësohet se profesori i plagosur vazhdon të jetë i shtruar në spital duke marrë mjekimin e nevojshëm dhe sipas mjekëve, gjendja e tij është përmirësuar.

Dekania: Duam siguri në auditorë
Pas incidentit e së hënës në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, ku një pedagog mbeti i plagosur rëndë pasi u sulmua nga dy persona, kolegët e tij ndjehen të pasigurt gjatë kryerjes së punës së tyre në auditorë. Klodeta Dibra, dekane e Fakultetit, gjatë një komunikimi në linjë telefonike me gazetën “Panorama”, u shpreh se incidenti i rëndë ka ndodhur në ambientet e brendshme të Fakultetit dhe dhjetëra studentë e pedagogë janë bërë dëshmitarë të sulmit të shëmtuar ndaj një profesori të nderuar. Gjithashtu ajo tregon se sulmi brutal është filmuar nga kamerat e sigurisë së Fakultetit, të cilat janë dorëzuar në polici që të ndihmojnë në hetimin e ngjarjes.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura