TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi dënime më të rënda se ato të kërkuara nga prokuroria për katër të akuzuarit për ngjarjen e masakrimit me thika të një 19-vjeçari më 28 prill 2010, pranë gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë. Grindja e nisur prej rivalitetit të dy grupimeve muzikore hip-hop, “OTR” dhe “BUTUESI”, që përfundoi në goditjen me 11 thika të Denis Dollapit, u kushtoi një total prej 32.5 vitesh burg katër të akuzuarve për ngjarjen. Pak ditë më parë Gjykata e Tiranës deklaroi fajtor për akuzën e “vrasjes me dashje”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe dënoi me 13 vjet burg të pandehurin Bexhet Kruda. Fajtor për të njëjtën akuzë u deklarua edhe i pandehuri Orjol Alla, i cili u dënua me 11 vjet burg. Për këta të pandehur, prokuroria pati kërkuar dënim me nga 10 vjet burg. Për të njëjtën vepër penale, Gjykata e Tiranës deklaroi fajtor dhe dënoi me 6 vjet burg të pandehurin Rigers Kruda. Ndaj tij prokuroria pati kërkuar vetëm 20 muaj burg për akuzën e “moskallëzimit të krimit”. I pandehuri Xhevat Gashi u dënua me 2 vjet e 6 muaj burg, pasi u deklarua i fajshëm për “moskallëzim krimi”. Ngjarja ndodhi gati dy vjet më parë dhe sipas hetimeve, shkak i përplasjeve ka qenë rivaliteti i grupeve muzikore dhe mbështetësve të tyre përkatës. a.b











