Plagosi tre persona në Kamzë, në kërkim autori

Jan 12, 2012 | 12:31

TIRANE – Tre persona kanë mbetur të plagosur nga sherri me armë i ndodhur të martën në Kamzë. Policia tha se duke tentuar të vrasë ish-dhëndrin, të cilin e fajësonte për vetëvrasjen e së motrës rreth 7 vite më parë, 25-vjeçari Klodian Brahilika ka plagosur me automatik edhe dy persona të tjerë në qendër të Kamzës, në Tiranë. Edhe pse objektivi i “hakmarrjes” së tij ka qenë 35-vjeçari Ermal Llorja, i njohur edhe me emrin Ilia Kokali, 10 plumba kallashnikovi nuk kanë kursyer as një prej personave që ndodheshin në makinë me të dhe një kalimtar të rastit. Sipas burimeve zyrtare nga Policia, Llorja ka pësuar vetëm një plagë të lehtë në njërën dorë, ndërsa është plagosur rëndë daja i tij, 62-vjeçari B.M., që ndodhej në sediljen e parë të mjetit “Golf” me targa greke, si dhe kalimtari Fiqiri Koçi, 71 vjeç. Ndërsa fatmirësisht u ka shpëtuar plumbave kushëriri i Ermal Llorjas, që ndodhej në sediljen e pasme të mjetit, Andrea Xheka, 49 vjeç. Zyrtarisht Policia tha dje se motiv i ngjarjes ka qenë një konflikt i vjetër familjar mes Ermal Llorjas dhe Klodian Brahilikës, i cili është shpallur në kërkim me akuzën e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë. Sipas dëshmive të mbledhura nga grupi hetimor, Llorja ka qenë i fejuar rreth shtatë vite më parë me motrën e të dyshuarit si autor i ngjarjes, Klodian Brahilika. Ata kanë qëndruar të fejuar rreth një javë dhe më pas janë ndarë. Por për shkak të ndarjes nga i fejuari, motra e autorit të ngjarjes ka kaluar një periudhë të rëndë depresioni, që e detyroi të pinte fostoksinë, duke u vetëhelmuar dhe ka gjetur vdekjen. Për fatkeqësinë familja Brahilika fajësoi ish-dhëndrin Ermal Llorja, duke e quajtur fajtorin kryesor të vdekjes së vajzës së tyre. Ndërsa Llorja pasi kishte kaluar disa muaj nga ndarja me të fejuarën, ishte martuar dhe kishte emigruar në Greqi, ku jeton aktualisht me familjen e tij.

© Panorama.al

Te lidhura