
Pa kaluar ende 24 orë, policia ka mundur të prangosë autorin e plagosjes së kreut të komunës Baldushk, Elmi Allmuça.
Policia arrestoi të shpallurin në kërkim, Altin Shabani, 32- vjeç një ish punonjës policie i komunës. Deri disa ditë më parë, 32- vjeçari ka qenë i punësuar pranë komunës Baldushk dhe dyshohet se ka qenë shkarkimi nga puna i këtij të fundit shkak për konfliktin mes tyre.
Kryetari i komunës së Baldushkut, Elmi Allmuça, u qëllua me armë dhe mbeti i plagosur mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:15. Ngjarja ka ndodhur në qendër të komunës, teksa zyrtari vendor po shkonte në shtëpinë e tij. Burimet nga Policia kanë thënë se incidenti ka ndodhur pas një debati që 44-vjeçari Allmuça pati në rrugë me një ish-punonjës të komunës i larguar nga detyra pak kohë më parë.
Policia e kryeqytetit tha se kryekomunari Allmuça është qëlluar me një plumb arme zjarri që dyshohet të jetë pistolete. Zyrtari ka marrë plagë në pjesën e ijëve dhe më pas është dërguar menjëherë në spital. Mjekët kanë thënë se pas ndërhyrjes kirurgjikale kreu i komunës Baldushk e ka kaluar rrezikun për jetën.
Sipas të njëjtave burime nga Policia, autor i dyshuar i ngjarjes është 32-vjeçari Altin Shabani, i cili deri para disa ditës ka qenë punonjës policie i komunës së Baldushkut. Motivi i ngjarjes mes kryekomunarit dhe ish-policit, dyshohet se ka qenë shkarkimi nga puna i këtij të fundit disa ditë më parë.
© Panorama.al











