Plagoset në burg kryekomunari, Kleves Muja

Jun 4, 2012 | 16:16

Kleves Muja, kryetari i komunës Rrethina

Kleves Muja, kreu i komunës Rrethina në Shkodër, i arrestuar vetëm pak ditë më parë, është plagosur me mjete të forta në ambientet e burgut të Shën Kollit,Lezhë ku po mbahej në paraburgim.

Kryekomunari mësohet se është plagosur nga shtetasi, Xheladin Kruja, 33 vjeç me një kaçavidë. Ende nuk janë të qarta motivet e zënkës mes tyre, por policia dyshon se të dy shtetasit kanë patur një konflikt të vjetër. Kryekomunari Muja është transportuar për në Spitalin Ushtarak ku po merr edhe ndihmën, pas plagëve të marra në kokë. Mësohet se gjendja e tij shendetesore eshte e rende.

Gjykata e Shkodrës vendosi dy ditë më parë masën e sigurisë “arrest me burg” për 40 ditë, për kreun e komunës Rrethina, Kleves Muja. Pas shqyrtimit të provave shkresore në ngarkim të 38-vjeçarit, togat e zeza vendosën ta lënë atë në burg brenda afatit ligjor 40 ditë, kur duhet të kryhen edhe procedurat për ekstradimin e tij në Itali.

Kleves Muja, 38 vjeç, është arrestuar papritur mesditën e 1 qershorit, ndërsa zbriste i qetë nga makina e tij, në qytetin e Shkodrës. Policia e Shtetit e bëri të ditur këtë fakt nëpërmjet një deklarate për shtyp, sipas së cilës, Muja kërkohej nga shteti italian prej 2 vitesh.

Arrestimi i Kleves Mujës, i zgjedhur në krye të komunës Rrethina një vit më parë, nën siglën e Aleancës për të Ardhmen u krye nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar në Policinë e Shtetit. Uniformat blu në aksion kishin në dorë fletën e urdhrit të arrestit, lëshuar për 38-vjeçarin nga Interpol Roma. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, mësohet se autoritetet italiane të Drejtësisë në qytetin e Barit kanë lëshuar ndaj Mujës urdhër-arrestin ndërkombëtar në datën 29 tetor 2010. Ndaj tij rëndon akuza e veprës penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, parashikuar nga nenet 309/90, si dhe nenet 81 dhe 110 të Kodit Penal italian.

© Panorama.al

Te lidhura