
Kryetari i komunës së Baldushkut, Elmi Allmuça, u qëllua me armë dhe mbeti i plagosur mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:15. Ngjarja ka ndodhur në qendër të komunës, teksa zyrtari vendor po shkonte në shtëpinë e tij. Burimet nga Policia kanë thënë se incidenti ka ndodhur pas një debati që 44-vjeçari Allmuça pati në rrugë me një ish-punonjës të komunës i larguar nga detyra pak kohë më parë. Policia e kryeqytetit tha se kryekomunari Allmuça është qëlluar me një plumb arme zjarri që dyshohet të jetë pistolete. Zyrtari ka marrë plagë në pjesën e ijëve dhe më pas është dërguar menjëherë në spital. Mjekët kanë thënë se pas ndërhyrjes kirurgjikale kreu i komunës Baldushk e ka kaluar rrezikun për jetën. Sipas të njëjtave burime nga Policia, autor i dyshuar i ngjarjes është 32-vjeçari Altin Shabani, i cili deri para disa ditës ka qenë punonjës policie i komunës së Baldushkut. Motivi i ngjarjes mes kryekomunarit dhe ish-policit, dyshohet se ka qenë shkarkimi nga puna i këtij të fundit disa ditë më parë. Plagosja me armë e kreut të komunës është parë nga disa dëshmitarë, të cilët kanë lajmëruar në sallën operative të Policisë së Tiranës, madje kanë qenë ata që kanë përmendur emrin e Altin Shabanit si autor i ngjarjes. Sipas tyre, pas një debati në rrugë me kreun e komunës, Shabani ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar një herë në drejtim të tij, më pas është larguar me një makinë tip “Mercedez-Benz”, me ngjyrë të zezë. Policia e Komisariatit Nr.1 dhe oficerë të seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Burimet thanë se pas këqyrjes dhe fiksimit të provave, në vendngjarje është sekuestruar një gëzhojë e kalibrit 7.62 milimetra, ndërsa kanë nisur kërkimet në terren për identifikimin e autorit. Elmi Allmuça, 44 vjeç, nga fshati Mumajes i Baldushkut, u emërua në krye të Komunës Baldushk në zgjedhjet e majit të viti 2011. Allmuça është pjesë e Aleancës për Qytetarin, Partia Demokratike.
PLAGOSJA
Kryekomunari i Baldushkut, Elmi Allmuça, u plagos me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në qendër të komunës Baldushk, kur po lëvizte për të shkuar në shtëpi. Policia ka pyetur dëshmitarët e ngjarjes, mes të cilëve edhe një punonjës policie i fshatit, të cilët kanë dhënë deklarimet e tyre, madje edhe emrin e autorit të dyshuar, i cili është larguar nga vendngjarja me një “Mercedez-Benz”, të zi. Sipas deklarimeve, Allmuça nuk ka pasur probleme personale të mëparshme, por i vetmi konflikt që kishte lidhej me punën, për shkak të shkarkimeve që kryheshin me motivacion reformat e ndryshme. Një prej këtyre konflikteve e ka pasur edhe me autorin e dyshuar të ngjarjes, Altin Shabani, 32 vjeç, i cili deri disa ditë më parë ka qenë punonjës policie i komunës së Baldushkut. Burimet thanë se ende nuk është marrë dëshmia e të dëmtuarit, kryekomunarit Allmuça, pasi po pritet një konfirmim nga mjekët për momentin që ai do të jetë gati për të folur. Sipas grupit hetimor, dëshmia e tij do të jetë vendimtare për përcaktimin e shkaqeve të ngjarjes dhe kapjen e autorit të ngjarjes. Pavarësisht se dëshmitarët kanë pohuar për policinë se e kanë njohur autorin e dyshuar, sipas Policisë errësira në vendin e ngjarjes nuk favorizon identifikimin e plotë të tij. Megjithatë, nisur nga deklarimet e dëshmitarëve, policia ka shpallur në kërkim ish-policin e komunës, Altin Shabani dhe po punon për kapjen e tij.
Autori në kërkim
Bazuar në deklarimet e personave që kanë parë plagosjen e kreut të komunës Baldushk, Policia ka nxjerrë dje në mbrëmje një urdhër-kërkimi për shtetasin Altin Shabani. Në banesën e tij është bërë kontroll dje, por mësohet se ai nuk është gjetur në shtëpi. Për rrjedhojë, policia ka nisur kontrolle e patrullime në gjithë zonën me qëllim ndalimin e tij.
ETLEVA DELIA











