Plagoset me armë biznesmeni, hyri të ndante dy klientët

Dec 20, 2011 | 13:34

Biznesmeni ka hyrë për të ndarë dy personat që ndodheshin në lokalin e tij, pasi ata po konfrontoheshin fizikisht me njëri-tjetrin. Njëri prej klientëve të lokalit ka shkrepur armën dhe plumbi ka goditur në kofshë biznesmenin 43- vjeçar Iljas Katiraj. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, në rrugën “Teodor Keko”, pranë Unazës së Re, në kryeqytet. Burime nga Policia thanë se kanë identifikuar dhe autorin e dyshuar të ngjarjes, i cili është 35-vjeçari Elio Bendo, i njohur edhe me emrin Elidon Lafetaj, nga Fushë-Arrëzi i Pukës dhe banues në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë. Nga të dhënat hetimore mësohet se pronari i lokalit është plagosur rastësisht dhe nuk ka pasur lidhje me dy personat që kishin nisur konfliktet. Sipas Policisë, Elio Bendo, tashmë i shpallur në kërkim, ka nisur një debat të ashpër me 24- vjeçarin Daniel Pane për një borxh të pashlyer. Pane i kishte dhënë hua 100 mijë lekë autorit të dyshuar dhe ishte takuar në lokalin e Katirajt për t’i kërkuar kthimin e parave, pasi i kishte kaluar afati i shlyerjes së borxhit. Ky dyshohet të ketë qenë motivi i konfliktit mes Elio Bendos dhe Daniel Panes, debat që ata e kanë vazhduar edhe jashtë ambienteve të lokalit. Duke qenë se të dy protagonistët ishin klientë në lokalin e tij, pronari, Ilias Katiraj, ka dalë jashtë dhe është futur në mes dy të rinjve që t’i ndante. Por, në përleshje e sipër, 35-vjeçari Bendo ka shkrepur një pistoletë që mbante në brez dhe plumbi ka goditur biznesmenin, që ndodhej rastësisht prezent gjatë konfliktit të klientëve të tij. Policia është vënë në dijeni për ngjarjen nga personeli i Spitalit Ushtarak kur ka mbërritur i plagosur me armë zjarri Ilias Katiraj dhe menjëherë ka nisur hetimet për ngjarjen. Sipas mjekëve të Spitalit Ushtarak, i plagosuri, pas kryerjes së operacionit, e ka kaluar rrezikun për jetën. Ai është marrë në pyetje nga dy oficerë të seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit, duke shpjeguar rrethanat e ngjarjes. Policia tha se gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një gëzhojë me mbishkrimin “FN”, e kalibrit 7.65 milimetër dhe një tampon steril me njolla të kuqe gjaku.

I plagosuri jashtë rrezikut
Nga burime të policisë së Tiranës është mësuar dje se shtetasi i plagosur pas konfliktit me armë është jashtë rrezikut për jetën në spital. Më datë 18 dhjetor 2011, rreth orës 19.20, në rrugën “Teodor Keko”, në Unazën e Re pas një konflikti për motive të dobëta është plagosur me armë zjarri shtetasin Iljas Agush Katiraj, 43 vjec i cili ndodhet në QSUT jashtë rrezikut për jetën, thanë burimet e policisë.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura