
Vizita e ish-kryeparlamentares italiane në Vlorë, Irene Pivetti, është pritur me protesta e akuza nga familjarët e viktimave të Otrantos.”T’i hedhim shqiptarët në fund të detit, të mos i lejojmë t’u afrohen brigjeve tona”. Kjo deklaratë e politikanes e gazetares italiane, bërë rreth 20 vjet më parë, duket se ka mbetur ende e freskët për familjarët e viktimave që u mbytën me anijen “Kateri i Radës” 14 vjet më parë në Otranto. Dje, nga Vlora ajo u ka kërkuar familjeve të viktimave falje publike për deklaratën e bërë 3 vjet para se të ndodhte tragjedia. Pivetti, anëtare e “Lega Nord” në Itali, (parti e njohur si ksenofobe karshi emigrantëve të huaj) është pritur nga familjarët e viktimave të Otrantos, pasi ka dalë nga një takim me prefektin e Vlorës, Eduart Velçani. Qëllimi i këtij takimi ishte bashkëpunimi mes prefekturës dhe shoqatës që drejtohet nga ana e Pivetti-t, për përmirësimin dhe ndihmën që i nevojitet Shqipërisë kryesisht për turizmin. “Ju jeni e padëshiruar këtu. Për shkakun tuaj ndodhi tragjedia e Otrantos”. Kështu u shpreh Pushime Çala, përfaqësuese e familjarëve të viktimave të Otr-antos, duke i kujtuar ish-kryeparlamentares italiane deklaratën që ka bërë në senatin italian: T’i hedhim shqiptarët në fund të detit, të mos i lejojmë t’u afrohen brigjeve tona. “Sot keni helmuar tokën shqiptare. Ju keni kërkuar të hidhen shqiptarët në fund të detit. Pas 3 vitesh, Kateri i Radës përfundoi në fund të detit. Sot na keni helmuar njësoj si atë ditë që u mbyt anija. Kemi shumë shqiptarë ende në fund të detit. Ne kemi 15 vjet që kërkojmë të drejtën tonë, por asgjë. Jeni tallur kaq vite me ne. Nëse jeni antishqiptare, pse shkelni në tokën shqiptare? Ka edhe shumë italianë të nderuar… Pse i urreni kaq shumë shqiptarët”, u shpreh e përlotur Çala. Ajo u shpreh gjithashtu se në këtë vend do të kishin ardhur edhe mjaft familjarë të tjerë, por për të evituar ndonjë incident të shkaktuar edhe nga efekti i turmës, aty kishte ardhur vetëm një përfaqësi e tyre. Ndërkaq, Pivetti ruajti gjakftohtësinë duke shprehur keqardhjen e saj për tragjedinë e 28 marsit të vitit ’97-të. Ajo mohoi se i urrente shqiptarët, duke u justifikuar me faktin se deklarata e saj ishte bërë në një kohë kur dy vendet kishin marrëdhënie të tensionuara. “Kërkoj falje për deklaratat e nxituara. Mua më vjen keq, shumë keq për atë çka u ndodhi familjeve tuaja dhe juve personalisht. Nuk mund të qëndrosh indiferente ndaj një dhimbjeje të tillë, si në Shqipëri, Itali apo vende të tjera. Unë jam e nderuar për këtë takim, sepse ashtu siç kam bërë dhe herë të tjera, dua të shpreh dhimbjen dhe solidaritetin ndaj popullit shqiptar sot, për atë ditë. 20 vjet më parë, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të ndryshme, kishte një klime e tension të lartë politik dhe jo vetëm politik. Nga ana ime dhe e shumë të tjerëve nuk ka pasur një nënkuptim agresiv, por ka qenë një pakënaqësi. Nuk ka pasur asnjë urrejtje nga ana ime për shqiptarët, ishte thjesht një tension i fortë politik mes dy vendeve. Besoj se çdo shqiptar me vullnet të mirë do e kuptonte këtë”, u shpreh Pivetti përballë zonjës Çala.
Ajo i kërkoi Çalës një shtrëngim duarsh, por gjesti i saj nuk u pranua nga përfaqësuesja e familjeve të viktimave të Otrantos.
Rekordi i notarit
Notari Massimo Voltolina mbërriti dje në brigjet e Vlorës në orën 14:15. Aventura e tij ishte organizuar nga ish-politikania italiane, Irene Pivetti, si përfaqësuese e rajonit Reggio Calabria. Distanca e përshkuar prej tij prej 85 kilometrash u krye pa asnjë mbrojtës, veç kostumit të notit e syzeve të ujit. Gjatë të gjithë rrugës, ai është ndjekur nga 2 mjete të Guardia di Financa. Aktiviteti për pritjen e 48-vjeçarit në portin e jahteve u shty për dy orë, për shkak të problemeve shëndetësore nga lodhja.
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











