“Pisha, të gëzohet që iku nga kjo Dinamo”

May 4, 2011 | 14:20
Ilion Lika

“E keqja e Dinamos janë drejtuesit e saj”. Kjo është paka a shumë ajo çka ka theksuar në prononcimin e tij ish-kapiteni i kësaj skuadre, Ilion Lika. Ky i fundit luajti për tetë sezone te blutë e kryeqytetit, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit, por më pas u largua pas përplasjeve me drejtuesit e klubit, të njëjtët që larguan nga ekipi edhe kapitenin pasardhës, Arain Pishën. Lidhur me këtë fakt, Lika lëshon një deklaratë sa në formë batute, por edhe këshille për ish-kolegun e tij. “Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Me ata drejtues vetëm në këtë mënyrë arrin që të ndahesh. Por në gjykimin tim, duhet marrë me sportivitet dhe t’i thuash vetes që shyqyr që ika nga ajo skuadër. Po, po, nuk e teproj. Nga momenti që unë u largova nga Dinamo kam bërë një karrierë shumë herë më të mirë nga ajo që gjoja po konsolidoja aty. Ndaj nuk e teproj nëse them, mirë që ndodhi ai largim, paçka se ishte me pasoja të mëdha për mua. Madje ka pasur raste kur kam menduar që të shkoj dhe t’u bëj një dhuratë drejtuesve të Dinamos, sepse që nga ai moment gjërat në karrierën time morën për mbarë”, ka pohuar portieri i Tiranës, Ilion Lika. Pas largimit nga Dinamo, ku gjërat përfunduan në gjyq mes lojtarit dhe klubit për shkak të mos-pagimit të rrogave ndaj futbollistit nga ana e klubit, Lika shkoi për një sezon te Elbasani dhe më pas kaloi te skuadra çeçene, Terek Grozni, për t’u rikthyer në 2010-n sërish në Shqipëri. “Pisha është një lojtar shumë i mirë për kampionatin shqiptar, ndaj jam i sigurt që nuk ka për të mbetur absolutisht pa skuadër. Madje e them me bindje që gjërat kanë për ti shkuar më mirë. Është e pamundur që të bësh diçka te Dinamo, sigurisht në të mirë të grupit dhe skuadrës, pasi aty gjithçka është e uzurpuar nga drejtuesit, të cilët e kanë përdorur dhe tashmë po e degdisin këtë skuadër në Kategorinë e Parë”, ka përfunduar Ilion Lika.

© Panorama.al

Te lidhura