
ELBASAN – Rreth 700 metalurgë të kompanisë turke “Kurum International” kanë zhvilluar të premten një protestë në sheshin para institucioneve të pushtetit vendor në Elbasan. Të mbështetur edhe nga krerët e Konfederatës së Sindikatave, ata kanë kërkuar që qeveria të ulet urgjent në bisedime me sindikatat për të miratuar një paketë antikrizë, si dhe për të ngrirë ligjin për energjinë elektrike. Shkak i protestës është bërë pezullimi prej më shumë se një jave i punës në këtë kompani, ku për pasojë, 700 metalurgë kanë mbetur të papunë. Sipas kreut të Konfederatës Sindikale, Kol Nikolla, “shkak për krijimin e kësaj situate në këtë kompani industriale është bërë ndërprerja e furnizimit me energji elektrike, duke u ndërprerë puna në uzinat e çelikut dhe petëzimit, por për pasojë dhe në atë të oksigjenit, gëlqeres etj. Ndërprerja e energjisë elektrike është bërë si pasojë e mungesës së një marrëveshjeje mes kompanisë dhe OSSH-së”. Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kolë Nikolli, i ka kërkuar Kryeministrit të Shqipërisë që të ulet në tryezë me punëtorët dhe të përgatisë urgjentisht një paketë antikrizë për ta, në të kundërt, të gjitha sindikatat në rang Republike do të përfshihen në protesta masive. “Nga Elbasani po jap një lajm SOS për krizën ekonomike që ka përfshirë Shqipërinë. I kërkojmë Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, që të përgatisë një paketë antikrizë për të kapërcyer situatën e vështirë që po kalojmë”, ka deklaruar Nikolla. Sipas tij, është e pafalshme që faturën e një krize ta përballojnë punëtorët, duke shtuar se punëtorët janë të pafajshëm. “Ata nuk kanë sjellë krizë, punëtorët kërkojnë bukë, ata nuk kërkojnë të dinë se kush e solli krizën, korrupsionin apo trafikun. Ata kërkojnë punë”, vijoi thirrjet kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë. Sindikalistët e punonjësit e firmës “Kurum International” kanë bllokuar për disa minuta edhe rrugën përballë Bashkisë së Elbasanit, duke shkaktuar trafik në qytet. Ata paralajmërojnë se protestat nuk do të ndalen. Nëse kjo marrëveshje nuk do të realizohet, punëtorët do të paguhen një vit me 60 për qind të pagës, ndërsa më pas mbeten të papunë. m.s











