Pezullimi i Hoxhës, Gjykata rrëzon kërkesën e Prokurorisë

Sep 23, 2011 | 12:09
Kreu i Policisë bashkiake, Florenc Hoxha

Gjykata e Tiranës rrëzoi dje kërkesën e prokurorisë për pezullimin nga detyra të kreut të Policisë Bashkiake të kryeqytetit, Florenc Hoxha.Prokuroria e Tiranës kërkoi pezullimin e Hoxhës si masë sigurimi për llogari të një hetimi nisur pas një padie kundër tij. Ai u padit nga dy ish-inspektore të sektorit të tatimeve në     Bashki për dhunë dhe kanosje. Sipas Prokurorisë së Tiranës, Florenc Hoxha, shefi i Policisë Bashkiake, dyshohet të ketë konsumuar veprat penale të “kanosjes për shkak detyre”, “shtrëngim për moskallëzim” dhe “fyerje për shkak të detyrës”. Paraditen e djeshme, në një seancë me dyer të mbyllura, gjykata shqyrtoi kërkesën e depozituar tri ditë nga prokuroria. Në përfundim të shqyrtimit, gjyqtarja Rezarta Vigani vendosi mospranimin e kërkesës, duke e vlerësuar atë si të pabazuar. Detaje të arsyetimit të gjykatës, në lidhje me këtë vendim, do të bëhen të ditura pas zbardhjes së vendimit. Referuar vendimit të djeshëm, detyra funksionale e Hoxhës mbetet e pacenuar. Ai do të vijojë ushtrimin e funksionit të tij drejtues në Policinë e Bashkisë së Tiranës. Pas daljes nga seanca, mbrojtësi ligjor i Hoxhës, avokati Plator Bylykbashi, konfirmoi vendimin e gjykatës, si edhe u shpreh se klienti i tij kishte kryer një veprim krejtësisht në përmbajtje të ligjit dhe në ushtrim të detyrës së tij si kryeinspektor. Ndërsa vetë Hoxha i konsideroi trillime akuzat ndaj tij. “Besoj se drejtësia e tha fjalën e saj. Iu përgjigj drejt trillimeve që ishin bërë për personalitetit tim dhe institucionit që unë drejtoj. Këto trillime ishin bërë për të vetmen arsye që të më pengojnë mua në zbatimin e ligjit dhe për t’i shërbyer qytetarëve”, tha Hoxha për mediat, pas daljes nga salla e gjyqit. Hetimi i Prokurorisë së Tiranës ndaj Hoxhës, nisi pas një episodi të regjistruar në datën 6 shtator në një prej njësive bashkiake të Tiranës, pak ditë pas urdhrit për largimin nga puna të më shumë se 50 inspektorëve. Në përpjekje për të liruar zyrat nga punonjësit e shkarkuar nga funksioni, kreu i Policisë Bashkiake u përfshi në një debat me dy prej inspektoreve. Ato kundërshtuan hapur lar-gimin nga puna dhe zyra. Më pas, dy ish-inspektoret kallëzuan në Prokurori Hoxhën, duke e akuzuar për dhunë dhe kërcënim. Po ashtu, ato pohuan se ishin kanosur se do të përballeshin me pasoja nëse do të denonconin ngjarjen. Dje pas daljes nga gjykata, Florenc Hoxha e cilësoi padinë si presion për ta penguar në zbatimin e ligjit. Incidenti mes Florenc Hoxhes dhe dy ish-inspektoreve të Bashkisë, Anila Çobani dhe Etleva Duro, ndodhi më 6 shtator. Pak ditë para ngjarjes, Bashkia kishte vendosur të largonte nga puna rreth 50 inspektorë ndërkohë që mes tyre ishin edhe emrat e Çobanit dhe Duros. Ato kundërshtuan largimin nga zyrat ndërkohë që Policia Bashkiake ndërhyri për t’i nxjerrë jashtë.

Prokuroria: 3 akuza Hoxhës
“Kanosje për shkak të detyrës”, “shtrëngim për moskallëzim” dhe “fyerje për shkak të detyrës”, këto janë tri akuzat që prokuroria ka ngritur ndaj kreut të policisë bashkiake të Tiranës. Struktura e drejtuar nga Florenc Hoxha, gjatë dy muajve të fundit ka qenë aktive në prishjen e një numri të konsiderueshëm ndërtimesh pa leje në kryeqytet. Ndërkohë, Policia Bashkiake është angazhuar edhe në administrimin e parkimeve dhe hapësirave publike.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura