“Pezullimi i Ballukut, vlerësim i drejtë i SPAK dhe i GJKKO”- Avokati Indrit Sefa: Prokuroria i dha të gjithë kohën që të ndërmarrë një veprim politik

Dec 10, 2025 | 17:32

Avokati Indrit Sefa ka komentuar në studion e News24 vendimin e SPAK dhe GJKKO për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar masën të drejtë dhe të argumentuar. Sipas tij, qeveria dhe kryeministri Rama janë zënë të papërgatitur nga zhvillimet.

indrit sefa

“Zoti Rama është kapur i papërgatitur. Pezullimi i Ballukut është vlerësim i drejtë i SPAK dhe GJKKO. Kur je titullar institucioni, ke pushtetin për të penguar hetimet, për të ndikuar apo ndryshuar dëshmitë e dëshmitarëve. Kjo është arsyeja pse kërkohet një masë pezulluese e tillë,” u shpreh Sefa.

Ai shtoi se SPAK “i dha të gjithë kohën e nevojshme qeverisë dhe kryeministrit për të marrë një vendim politik”, duke theksuar se institucioni nuk ka vepruar me nxitim.

Avokati komentoi edhe zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, ku sipas tij takimet dhe lëvizjet e deputetit Ervin Salianji janë një sinjal pozitiv për reformim të brendshëm.

“Takimet e Salianjit i bëjnë mirë PD-së. Kjo parti duhet reformuar. Kam dëgjuar shpesh që thonë ‘do të bëjmë analizë’, por analizë s’u bë kurrë. U krijuan shpikje allashqiptarçe si Foltorja 1 dhe Foltorja 2,” tha ai.

Sefa deklaroi se lëvizja e Salianjit është perceptuar si rrezik nga lidershipi aktual, ndërsa sipas tij, Berisha dhe rrethi i tij nuk kanë interes për ndryshim.

“Zoti Berisha pse duhet të kërkojë ndryshim? Enturazhi i tij është dakord me status quo-në. Ulen me Ramën në tavolinë, zgjedhin Avokatin e Popullit, bashkë bëjnë edhe ndarjen territoriale,” theksoi Sefa.

© Panorama.al

Te lidhura