GJIROKASTER – Bllokohen 120 kg marijuanë në operacionin “Mjegulla”, shpëtojnë trafikantët e drogës nga Lazarati. Gjithçka ka ndodhur mëngjesin e djeshëm pranë fshatit Nepravishtë, në juglindje të Gjirokastrës. Kanë qenë gjithsej pesë persona, prej të cilëve katër nga Lazarati dhe një nga Nepravishta, të cilët, kishin marrë përsipër të kalonin një sasi marijuane prej 120 kg drejt Greqisë përmes kufirit të gjelbër. Rreth orës 02:00, specialistët e Seksionit për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, u vunë në dijeni nga terreni se pesë të rinj gjendeshin në vendin e quajtur “Hija e zezë”, përballë fshatit Nepravishtë. Ata po transportonin me krahë në drejtim të kufirit të gjelbër disa çanta të mëdha shpine, brenda të cilave ndodhej droga. Kanë mjaftuar vetëm 60 minuta që uniformat blu të identifikonin mes kohës së keqe me shi të dendur dhe mjegull vendndodhjen e pesë shtetasve, të cilët patën qëndruar për disa minuta buzë një përroi. Sapo janë afruar në terrenin ku strehoheshin trafikantët e marijuanës, policët u kanë bërë thirrje që të dorëzoheshin, por reagimi ka qenë negativ, me sharje dhe ofendime në drejtim të tyre. Kjo ka qenë e shoqëruar me hedhjen e çantave me marijuanë në përrua, me qëllim lirimin nga provat materiale. Me një lëvizje të rrufeshme dhe që për Policinë e Gjirokastrës ishte e pamundur, të pesë trafikantët janë hedhur në përrua nga një lartësi gati 20 metra, duke përfituar nga errësira, mjegulla dhe shiu i rrëmbyer që po binte, përfshirë këtu edhe terrenin e thyer dhe të vështirë. Nga kontrolli i kryer te çantat u zbulua se ato ishin mbushur me drogë, me një peshë totale prej 120 kg marijuanë. Policia po vazhdon kërkimet për pesë personat që po trafikonin lëndën narkotike.











