Përzgjidhen aktorët, Helidon Fino në rolin e Edipit

Jan 18, 2013 | 12:33
Helidon Fino

Pranvera pritet të hyjë në Teatrin Kombëtar bashkë me tragjedinë e njeriut, të destinuar për të qenë shkatërrimi i vetes dhe i familjes së tij. Bëhet fjalë për “Edipi Mbret”, një nga veprat më të fuqishme të Sofokliut. Një bashkëprodhim mes Teatrit Kombëtar të Tiranës dhe Prishtinës, të cilët kanë ndarë mes tyre pjesën krijuese dhe atë interpretative. Për zgjedhjen e aktorëve, regjisori Ilir Bokshi zhvilloi audicione të hapura, ku morën pjesë mbi 70 veta, deri në krijimin e një bërthame aktorësh, që u bënë publikë dje, në një konferencë për shtyp. Kështu, në rolin kryesor, atë të Edipit, është përzgjedhur aktori Helidon Fino, në atë të nënës dhe njëkohësisht gruas së tij, Jokastës, është përzgjedhur aktorja Yllka Mujo, në atë të Kreontit, Neritan Liçaj etj. Si një vepër që vjen nga Antikiteti, një zë i fuqishëm në vepër është pa dyshim kori, pjesë e të cilit do të jenë të 16 aktorët e përzgjedhur nga regjisori. Sipas Bokshit, nuk do të ketë ndërhyrje në tekstin e Sofokliut, por ajo çka e bën moderne këtë vepër është pikërisht mënyra e zbërthimit të figurave, gjetjet regjisoriale, por njëkohësisht edhe problematika, e cila rezonon me atë të ditëve tona. Për aktorin që do të luajë rolin kryesor, Helidon Finon, ky është një bashkëpunim, për të cilin ia vlen që të entuziazmohesh. “Kërkon punë, korrektësi dhe ne e kemi nisur me shumë punë, që në orën 8:00 të mëngjesit”, thotë Fino. E në të vërtetë regjisori nga Kosova, asistente e të cilit është Rozina Kostani, është duke përdorur një metodologji pune shumë “strikte”. Puna nis herët e mbaron vonë. Sipas parashikimeve, vepra pritet të ngjitet në skenë në fund të shkurtit, ose fillim të muajit mars. “Edipi Mbret” është një nga tri tragjeditë e ciklit teban të Sofokliut, bashkë me “Edipi në Kolonë” dhe “Antigona”. “Edipi Mbret” tregon mitin e Edipit, një njeriu, i cili ishte destinuar që në lindje se do të vriste të atin, mbretin e Tebës dhe do të martohej me të ëmën, duke u bërë vetë mbret. Për t’i shpëtuar kësaj gjëme, foshnja i besohet një bariu, i cili duhet ta vriste, por kjo nuk ndodh dhe kur Edipi rritet, bën pikërisht atë çka kishte parashikuar Orakulli. Kur ekipi merr vesh historinë e vërtetë, nxjerr sytë, ndërsa Jokasta vret veten.

“Edipi Mbret”
Regjia:
    Ilir Bokshi
Përktheu:    Enrik Laçaj
Kompozitor:    Trimor Dhomi
Skenografia:    Petrit Bakalli
Kostumet:    Vese Kraja
Interpretojnë
Edipi Mbret:    Helidon Fino
Jokasta:    Yllka Mujo
Kreonti:    Neritan Liçaj
Korifeu:    Ema Andrea
Tiresia:    Olta Dako, Eriona Kakeli
Lajmëtari:    Ervin Bejleri
Bariu:    Lulzim Zeqja
Kori
Eftiola Laçka
Ermela Teli
Florant Veizi
Roel Llupa
Amos Zaharia
Anila Muça
Florian Agalliu
Adriana Tolka

© Panorama.al

Te lidhura