Përurohen në Shkodër spitali dhe skaneri i ri

Dec 27, 2011 | 11:28
Dje gjatë përurimit të spitalit në Shkodër

Shkodra do të ketë një spital të ri për trajtimin e të sëmurëve mendorë dhe në spitalin rajonal do të këtë një skaner të sapoinstaluar. Investimi për godinën e spitalit të ri, me një vlerë prej një milion dollarësh, financim i buxhetit të shtetit, do të mundësojë akomodimin dhe përmirësimin e kushteve me standarde bashkëkohore të pacientëve që aktualisht ndodhen në shërbimin psikiatrik të Shkodrës. Për përurimin ishin dje në Shkodër: kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Shëndetësisë Vasili dhe zv.ministri Spahia. “Asgjë më të rëndësishme nuk ka se sa shëndeti, jeta është çdo gjë që ne kemi! Midis kushteve të vështira që kanë qenë më përpara në shërbim të shëndetit mendor, ne sot ofrojmë kushte moderne përmes një investimi që ka vlerën rreth një milion dollarë dhe që është i pajisur dhe do të pajiset edhe në të ardhmen me mjetet që u shërbejnë atyre që kanë probleme shëndetësore”, tha kryetarja e Kuvendit. Në fjalën e tij, ministri Vasili theksoi standardet e larta me të cilat është ndërtuar dhe do të funksionojë spitali i ri. “Përurimi i Spitalit Psikiatrik të Shkodrës, i cili është ngritur dhe do të funksionojë në bazë të parametrave të OBSH-së për trajtimin e të sëmurëve me probleme mendore, por njëkohësisht japim dhe lajmin e mirë të nisjes nga puna të skanerit të parë të parametrave më të lartë, i cili është instaluar në spitalin rajonal të Shkodrës. Me siguri sot mund të themi se Tirana ia ka zilinë Shkodrës, ndërsa Shkodra jo më Tiranës”, u shpreh Vasili. Ndërtimi dhe pajisja e Spitalit të Psikiatrisë Akute në qytetin e Shkodrës është një investim nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë në shifrën e një milion dollarëve, ndërsa aparati i skanerit është pjesë e investimeve në kuadër të projektit “Mbështetje për spitalet rajonale me aparatura imazherike” në vlerën e 770 mijë dollarëve.

© Panorama.al

Te lidhura