Përshkallëzohet tensioni mes Pakistanit dhe Afganistanit, dhjetëra të vrarë pas sulmeve në kufi

Jun 29, 2026 | 8:42

 

Pakistani ndërmori të dielën sulme ajrore dhe dërgoi trupa tokësore në provincat afgane përgjatë kufirit mes dy vendeve, duke shkaktuar dhjetëra viktima, sipas autoriteteve.

pakistan afganistan

Qeveria talebane e Afganistanit e dënoi operacionin, duke e cilësuar një “akt frikacak”, si dhe “krim dhe mizori”. Zyrtarë talebanë thanë për BBC se të paktën 100 persona janë vrarë ose plagosur, mes tyre edhe civilë.

Nga ana tjetër, ministri pakistanez i Informacionit, Attaullah Tarar, deklaroi se në sulme u vranë 29 militantë, duke theksuar se objektivat ishin strehët e grupeve të armatosura. Sipas tij, operacioni ishte përgjigje ndaj “sulmeve të fundit terroriste kundër qytetarëve të pafajshëm” në Pakistan.

Islamabadi prej kohësh akuzon Afganistanin se strehon militantë që kryejnë sulme në territorin pakistanez, akuza që qeveria talebane i mohon vazhdimisht.

Nga ana tjetër, Kabuli ka akuzuar më herët Pakistanin për sulme të paprovokuara që, sipas tij, kanë shkaktuar viktima civile. Pakistani këmbëngul se operacionet e tij kanë në shënjestër vetëm grupet militante.

© Panorama.al

Te lidhura