NGA ZEF PREÇI 
Një pyetje që mundon jo pak opinionin publik, të paktën qysh nga vendosja në paraburgim e ish-kreut të Bashkisë së Tiranës dhe që mori hov në rastin e skandalit “Balluku”, për shkak të mbrojtjes që i ofroi asaj “me bujari” Kryeministri Rama në javët e fundit është se përse zyrtarët e lartë nuk japin dorëheqjen vullnetarisht nga postet që mbajnë? Studime të ndryshme konfirmojnë që kjo ndodh për një numër faktorësh ligjorë, financiarë dhe politikë. E përbashkëta e qëndrimit me çdo kusht në detyrë (rasti Balluku) dhe deri edhe krejt formalisht në detyrë (rastet e drejtorëve qendrore të ndaluar më masën arrestit me burg ose arrest shtëpie) janë përpjekjet e këtyre zyrtarëve për të ruajtur përfitimet dhe qëndrueshmërinë e tyre politike, ndonëse dorëheqja jo gjithmonë duhet të nënkuptohet si pranim i fajit apo dështim personal. Më shumë se kaq, dorëheqja mendoj se është prove e kulturës demokratike, përgjegjësi ndaj qytetarëve votues e taksa-pagues, por edhe respekt ndaj institucionit shtetëror dhe për vetveten. Mbrojtja e interesave financiare dhe e përfitimeve që vijnë nga postin përbën një “arsye” për të mos dhënë dorëheqjen vullnetarisht. Është e vërtetë se nëse kjo ndodh mund të çojë në humbjen e përfitimeve të rëndësishme financiare, por në administratën tonë të llojit “5D” (krijim kompanish të posaçme për të devijuar fondet publike drejt kompanive të personave të ekspozuar politikisht) nuk besoj se ka ndonjë zyrtar të akuzuar apo nën hetim, apo kandidat për t’u futur në atë procedurë që e bazon jetesën e vet në të ardhurat zyrtare, domethënë ato që vijnë nëpërmjet pagave të punës. E nëse flasim për shumicën e zyrtarëve në hetim apo nën akuzë nuk e teproj të them janë individë anonime, apo produkt i grabitjes se buxhetit të shtetit dhe “reputacionit” të krijuar nga media dhe propaganda qeveritare.
Siç dihet, shkarkimi nga puna krijon një gjurmë të përhershme publike në të kaluarën e një zyrtari, gjë që mund të pengojë mundësitë e ardhshme të punësimit dmth., dorëheqja vullnetare mund të lidhet me menaxhimin i reputacionit të zyrtarit. Mirëpo në një administratë të zhytur në nepotizëm, korrupsion dhe infiltrimin në të, të lobeve të biznesit, oligarkëve dhe krimit të organizuar, reputacioni, ashtu si dhe integriteti janë fjalë të huaja dhe që nuk bëjnë ndonjë diferencë as për karrierën e sotme dhe as për të ardhmen kur zyrtarët nuk do të jenë më në postet e sotme publike. Madje, dorëheqja do t’u lejonte atyre të “shpëtonin disi fytyrën”, qoftë edhe përkohësisht.
Në fakt, nuk është nevoja të bësh ndonjë studim të thelluar për të kuptuar se mungesa e dorëheqjeve vullnetare të zyrtarëve në hetim apo nën akuza penale ka lidhje me llogaridhënien dhe madje, mund të shihet edhe si një strategji politike, që gjithsesi cenojnë rëndë interesin publik. Kështu, edhe nëse zyrtari beson se është e/i pafajshëm, duke dhënë dorëheqjen vullnetarisht shpesh dorëheqja perceptohet si pranim i dështimit ose i një shkelje të igjit. Po nëse shohim me kujdes akuzat penale dhe shkaqet e përligjura të ngritjes së hetimeve për zyrtarët, të paktën për disa nga pozicionet e larta që janë në proces, nuk është vështirë të konstatohet se shumica prej tyre nisin me “abuzim me detyrën” apo “shkelje të barazisë në tendera” dhe përfundojnë me “grup të strukturuar kriminal”. Kjo do të thotë se mungesa e dorëheqjeve vullnetare duhet lexuar si një strategji mirëfilltë politike mbrojtjeje e eksponentëve të lartë politikë dhe zyrtarëve të korruptuar, duke ngritur pikëpyetje të mëdha edhe mbi integritetin e organizatave politike dhe institucioneve publike që u janë besuar për të drejtuar.
Në vendet me demokraci të dobëta, por në të cilat mundësia për karrierë politike dhe në administratën publike vjen më natyrshëm se në vendin tonë, dikush mund të mendojë se duke qëndruar formalisht në pozicionin zyrtar edhe mbas marrjes si të pandehur apo më keq akoma izolimit me burg apo me arrest shtëpie, mund të vazhdojnë të ushtrojnë pushtet, të ndikojnë në politika dhe të luftojnë për të pastruar emrin e tyre dmth., të qëndrojnë brenda strukturës së partisë politike ku bëjnë pjesë. Mirëpo në sistemin tonë politik “one man show”, unë nuk besoj se ky mund të jetë një argument i mjaftueshëm për t’u kapur me thonj e me dhëmbë mbas karriges, siç shkruante Noli qysh një shekull më parë.
Zhvillimet e javëve të fundit dëshmojnë psh., se refuzimi i znj. Balluku për të dhënë dorëheqjen mund të çojë në përplasje institucionale, veçanërisht edhe për faktin se duket se Kryeministri Rama vazhdon të refuzojë ta shkarkojë atë, ndoshta në këtë mënyrë duke iu shmangur edhe llogaridhënies politike si detyrim kushtetues i tij së bashku me zëvendësen e vet në kabinetin qeveritar. Ndërsa të mendosh se zyrtarë të tillë duhen aty, pra të mos largohen me dorëheqje apo me shkarkim, për shkak se “pamundësohet ofrimi i shërbimeve publike ndaj biznesit dhe qytetarëve apo më keq akoma, “pengohet zbatimi i projekteve të integrimit të vendit në BE” tingëllon tejet sarkastike dhe tallje e rëndë jo vetëm për “qytetarin mesatar” deri edhe për ata që ruajnë dhite në mal.
T’i rezistosh presionit publik dhe politik për të dhënë dorëheqjen në ditët e sotme dëshmon jo vetëm mungesën e një kulture minimale demokratike individuale, por edhe qenien individë me komplekse ndaj shkarkimit, tregues të karrierave personale të pamerituara dhe shkëputjes nga realiteti social-politik i vendit dhe provë bindëse se në gropën thithëse të veprimtarive penale të dyshuara ku janë përfshirë për shkak të veprimeve apo mosveprimeve të veta po shkojnë thellë e më thellë. Ndërkaq, mbrojtja e dëshpëruar nga z. Rama me argumente pa themel si këto që janë përcjellë në publik javët e fundit provojnë gërryerjen e thellë morale dhe jo vetëm të manxhorancës qeverisëse të drejtuar prej tij dhe janë një dëshmi për rrugën e gjatë që e pret vendin jo thjesht në konsolidimin e bazave të demokracisë, shmangien e autoritarizmit dhe vendosjes së “check and balance” në elitën politike drejtuese, por edhe në procesin e integrimit në BE.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al











