Presidenti i Kamerunit, Paul Biya, lideri më i vjetër në detyrë në botë, ka siguruar mandatin e tij të tetë radhazi, sipas rezultateve zyrtare të shpallura të hënën. Rezultati ka shkaktuar përplasje të dhunshme midis forcave të sigurisë dhe mbështetësve të opozitës, të cilët pretendojnë se votimet janë manipuluar.
Sipas komisionit zgjedhor, Biya fitoi 53.66% të votave, ndërsa kandidati opozitar Issa Chiroma Bakari mori 35.19% në zgjedhjet e mbajtura më 12 tetor. Megjithatë, Chiroma kishte shpallur veten fitues më parë, duke deklaruar se “nuk do të pranojë asnjë rezultat tjetër”.
Në qytetin kryesor ekonomik Douala, protestues të opozitës bllokuan rrugë me goma të djegura dhe mbeturina, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Katër persona humbën jetën gjatë fundjavës, sipas raportimeve të opozitës. Forcat e rendit patrulluan rrugët, ndërsa shumë dyqane mbetën të mbyllura.
Në një reagim në rrjetin X, Biya – i cili me këtë mandat mund të qëndrojë në pushtet deri në moshën 99-vjeçare – u shpreh se populli i Kamerunit “ka ripohuar besimin e tij dhe se ndien keqardhje për humbjet e jetëve nga dhuna paszgjedhore.
“Mendimet e mia janë me familjet e atyre që humbën jetën padrejtësisht,” shkroi ai.
Opozita, megjithatë, e cilëson rezultatin “të pabesueshëm”, veçanërisht në zonat e konfliktit ku votimi ishte thuajse i pamundur. “Është e qartë se shumica e qytetarëve votuan për Issa Chiroma Bakari,” tha një protestues në Douala.
Ekspertë ndërkombëtarë kanë paralajmëruar se kriza politike në Kamerun mund të përshkallëzohet, pasi shumë qytetarë nuk besojnë më në legjitimitetin e qeverisë aktuale.
“Biya ka një mandat të brishtë. Ai duhet të nisë urgjentisht një proces kombëtar dialogu për të shmangum përshkallëzimin e dhunës, tha Murithi Mutiga nga International Crisis Group.
Paul Biya, në pushtet që prej vitit 1982, ka hequr kufizimin e mandateve që në vitin 2008 dhe ka fituar të gjitha zgjedhjet pasuese me shumicë të thellë. 92-vjeçari, që udhëheq një vend me popullsi të re, përfaqëso një brez të liderëve afrikano-qendrorë të moshës së thyer që mbajnë pushtetin prej dekadash.
Ndërkohë, kundërshtari i tij, Issa Chiroma Bakari, ish-ministër dhe zëdhënës i qeverisë së Biya-s, u shkëput nga partia në pushtet më herët këtë vit, duke u shndërruar në figurën më të fortë të opozitës. Fushata e tij mblodhi turma të mëdha dhe mbështetje nga disa parti dhe organizata civile, duke krijuar për herë të parë një sfidë të vërtetë ndaj regjimit 42-vjeçar të Biya-s.
© Panorama.al












