Zyrtarët e KFOR-it kanë njoftuar se 21 ushtarë kanë pësuar lëndime, ndersa trupat e kësaj force, brenda natës, kanë nisur largimin e një barrikade rrugore në pjesën veriore të Kosovës.
Shefi i zyrës për informim në KFOR, Uve Novicki, tha për Radion Evropa e Lirë se pas largimit të barrikadës në Rudarë, forcat paqeruajtëse kanë reaguar, duke përdorur edhe gazin lotsjellës, për të shpërndarë serbët që synonin ta mbronin barrikadën.
“Mbrëmjen e kaluar, pas orës 23:00, KFOR-i me sukses mori nën kontroll bllokadën e vendosur në Rudarë – pa ndonjë incident. Ndërkaq, në mesnatë, numri i protestuesve u shtua; ata sollën edhe tre kamionë dhe avancuan drejt trupave të KFOR-it”.
“Protestuesit përdorën forcën, përfshirë këtu edhe hedhjen e gurëve. Ata i shtynë prapa forcat e KFOR-it, duke i sulmuar ato me kamionë të mbushur me zhavorr”, tha Novicki, për të shtuar:
“Forcat e KFOR-it u detyruan të qëllojnë në ajër, si shenjë vërejtjeje. KFOR-i ka përdorur edhe gazin lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës për vetëmbrojtje nga protestuesit që përcillnin kamionët”.
“Për të parandaluar mundësinë e përshkallëzimit të mëtejmë të konfrontimit dhe për të mos rrezikuar palët, KFOR-i mori vendim për ndërprerjen e operacionit. KFOR-i konfirmon se 21 ushtarë kanë pësuar lëndime”, tha Novicki.
Edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tregoi për aksionin e KFOR-it në veri dhe tha se pas largimit të barrikadës, serbët lokalë kanë vendosur një barrikadë tjetër prej zhavorrit.
“Janë vendosur serish kamionë me zhavorr për të bllokuar totalisht rrugën magjistrale Mitrovicë – Leposaviq, perkatësisht fshatin Rudarë të komunës së Zveçanit”, tha Hoti.
Aktualisht, sipas autoriteteve të rendit, situata është e qetë.
© Panorama.al











