Përplaset makina me studentë, 2 vdesin

May 8, 2011 | 12:11

Përfundon në tragjedi festa e shtatë të rinjve, gjashtë prej të cilëve studentë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Elbasan.Teksa ktheheshin nga një pub në qytezën e Belshit, makina me të cilën udhëtonin ka dalë nga rruga, duke shkaktuar vdekjen e dy prej tyre. Policia bëri të ditur se drejtuesi i mjetit, emigrant në Itali, dhe një vajzë studente gjetën vdekjen e menjëhershme, ndërsa 5 studentët e tjerë ndodhen në spital, në rrezik për jetën. Ngjarja tragjike ndodhi dje rreth orës 04.20, kur viktimat Shpend Hysaj, 23 vjeç nga Belshi, Eriola Kurti, 22 vjeçe nga Librazhdi, si dhe të plagosurit Brunilda Kullolli, 22 vjeçe nga Berati, Xheni Tosta, 22 vjeçe nga Librazhdi, Leonard Allani, 23 vjeç nga Belshi, Enea Hysa, 25 vjeç dhe Algent Brahja, 23 vjeç nga Tirana, po ktheheshin nga qyteti i Belshit drejt Elbasanit. Sipas Policisë, viktimat, miq me njëri-tjetrin, jetonin me qira në qytetin e Elbasanit, sepse ishin studentë. Vetëm njëri prej viktimave, drejtuesi i mjetit, ishte emigrant në Itali. Ai ishte takuar me dy prej shokëve të tij nga Belshi, me të cilët kishte vendosur të argëtohej bashkë me shoqërinë e tyre të fakultetit. Nga hetimet paraprake rezultoi se shtatë të rinjtë kishin dalë fillimisht në një pub të Elbasanit. Në orët e vona, dyshohet se edhe në euforinë e alkoolit që kishin konsumuar, ata kanë vendosur të festojnë sërish së bashku në një pub që ndodhet në Belsh. Rreth orëve të mëngjesit, viktimat kanë vendosur të ktheheshin në Elbasan. Burime të Policisë bënë të ditur se njëri prej viktimave, Shpend Hysaj nga Belshi, ishte emigrant në Itali dhe kishte ardhur për të martuar djalin e xhaxhait të tij. Ai drejtonte mjetin tip “Benz” me targë të huaj, CF 853 RF, dhe në vendin e parë ndodhej viktima tjetër, Eriola Kurti, studente në Elbasan. Shpejtësia tej normave të lejuara, por edhe konsumi i tepërt i alkoolit ka bërë që shoferi të mos e manovrojë dot mjetin në një kthesë të fortë, në vendin e quajtur “Ura e Zezë”, që ndodhet në aksin rrugor Cërrik-Papërr. Makina ka humbur kontrollin, duke u përplasur me një beton. Për pasojë, ka gjetur vdekjen e menjëhershme drejtuesi i mjetit dhe 22-vjeçarja nga Librazhdi. Të plagosur rëndë mbetën pesë studentët e tjerë. Banorë të zonës ku ndodhi aksidenti i rëndë kanë njoftuar menjëherë Policinë, ndërsa një autoambulancë mbërriti me urgjencë në vendin e ngjarjes, duke transportuar drejt Spitalit të Elbasanit pesë të aksidentuarit rëndë, si dhe dy viktimat. Mjeku i shërbimit, Behar Gjevori, deklaroi se “Pesë të rinjtë erdhën me fraktura, me dëmtime të rënda në pjesë të ndryshme të trupit”. Sipas tij, ishte e pamundur të merrje ndonjë deklaratë prej tyre në lidhje me atë që kishte ndodhur, madje njëri prej tyre, Enea Hysa, vazhdon të jetë në gjendje kome. Ai, bashkë edhe me dy të plagosur të tjerë, Algent Brahja dhe Leonard Allani, janë transportuar për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për të marrë një ndihmë më të specializuar.
“Të plagosurit kanë hyrë menjëherë në sallën e operacionit dhe ndaj tyre janë kryer edhe ndërhyrje, pasi plagët kanë qenë të thella, për shkak edhe të mënyrës së aksidentit”, u shpreh më tej mjeku Gjevori. Sipas tij, ata nuk mbanin mend asgjë se çfarë kishte ndodhur. Policia e Elbasanit ka nisur hetimin për shkaqet e këtij aksidenti të rëndë. Paraprakisht, grupi i hetimit ka konstatuar se ngjarja e rëndë ndodhi për shkak të shpejtësisë së mjetit, drejtuesi i së cilës e ka pasur të pamundur të manovrojë, kur ka hasur në një kthesë të fortë. Gjithashtu, dyshohet se shoferi dhe të rinjtë e tjerë kanë qenë nën efektin e alkoolit. Dy prej të rinjve që janë përmendur, kanë pohuar se ishin miq me njëri-tjetrin, dhe se kishin dalë që pasditen e së premtes për të festuar së bashku.

Viktimat, studente ne te njejtin kurs

Policia e Elbasanit bëri të ditur se mjeti drejtohej nga emigranti i sapoardhur nga Italia, Shpend Hysaj, 23 vjeç nga Belshi. Ndërsa në vendin e parë ka qenë viktima tjetër, Eriola Kurti, 22 vjeçe, nga Librazhdi, studente në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Edhe pesë të plagosurit e tjerë mësohet se ishin studentë në të njëjtin Fakultet. Ata banonin në shtëpi të marra me qira në qytetin e Elbasanit dhe ishin miq të ngushtë, duke qenë se mësonin edhe në të njëjtin kurs në Fakultet.

Te dhena

Viktimat
Shpend Hysaj, 23 vjeç nga Belshi,
Eriola Kurti, 22 vjeçe nga Librazhdi

TE PLAGOSUR
Brunilda Kullolli, 22 vjeçe nga Berati
Xheni Tosta, 22 vjeçe nga Librazhdi
Leonard Allani, 23 vjeç nga Belshi
Enea Hysa, 25 vjeç
Algent Brahja, 23 vjeç nga Tirana

 

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura