
Aksident i rëndë me pasojë vdekjen e tre personave dhe plagosjen e një fëmije 7 vjeç ndodhi dje në aksin Fushë Krujë-Vorë. Nëna 28-vjeçare dhe fëmija i saj gjetën vdekjen bashkë me drejtuesin e mjetit, i cili kishte lidhje farefisnore me familjen e saj. Policia bëri të ditur se viktimat janë Suela Shota, 28 vjeçe, Kejsi Shota, 5 vjeçe dhe Ardian Cani, 40 vjeç. I plagosur rëndë ka mbetur edhe djali i viktimës, Ervis Shota, i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën, në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00, pasi mjeti tip “Ford” pa targa, në të cilin udhëtonin viktimat, u përplas me një autobus me targë DR 0016 E, në vendin e quajtur “Ura e Gjolës”. Burime të Policisë bënë të ditur se viktima Suela Shota po udhëtonte me dy fëmijët e saj 5 dhe 7 vjeç, si dhe drejtuesin e autoveturës Ardian Cani nga Ishmi i Durrësit. Ai kishte marrë viktimat në banesën e saj në fshatin Bilaj të Fushë-Krujës, ku jetonte dhe ishin nisur më pas drejt stacionit të trenit, ku më pas Suela Shota bashkë me dy fëmijët e saj do të udhëtonin për në fshatin Zhejë të Kurbinit, ku ajo kishte prindërit e saj. Përplasja e dy mjeteve shkaktoi panik tek 30 pasagjerët e autobusit, të cilët fatmirësisht shpëtuan pa u lënduar. Shoferi ka mundur të manovrojë pas aksidentit, ndonëse nuk mundi të evitojë devijimin nga rruga. Pasagjerët dhe shoferi i autobusit janë shoqëruar në Komisariatin e Fushë-Krujës, nga ku kanë dëshmuar se drejtuesi i autoveturës tip “Ford” ishte futur në mënyrë të menjëhershme nga rruga dytësore në atë nacionale, pa kontrolluar më parë lëvizjet në të. Me gjithë tentativën e shoferit të autobusit për të frenuar, i cili deri në orët e vona është marrë në pyetje, ka qenë e pamundur shmangia e kësaj tragjedie. Ai, bashkë me pasagjerët, kanë ndërhyrë duke nxjerrë fillimisht nga mjeti Ardian Canin, i cili kishte gjetur vdekjen, si dhe fëmijën e plagosur. Por më pas është kërkuar ndihma e policisë e zjarrfikëseve për të nxjerrë dy viktimat, Suela dhe Kejsi Shota. Është dashur prerja e llamarinave me gur fresibël për nxjerrjen e trupave të tyre. Policia ka konstatuar se nënë e bijë kishin gjetur vdekjen. I vetmi i mbijetuar i tragjedisë ishte djali i viktimës, Ervis Shota, që u dërgua me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak. Të dhënat e para të ekspertëve të qarkullimit flasin për një aksident për shkak të ndërprerjes së rrugës nga autovetura. Pas ngjarjes së rëndë, bashkëshorti i Suela Shotës, Autobel Shota, mbërriti në spital për t’u interesuar për djalin e tij, i cili po lufton me vdekjen në reanimacion.
30 pasagjere
të autobusit dhe drejtuesi i saj u shoqëruan në polici. Ata dëshmuan se mjeti në të cilin udhëtonin viktimat, kishte dalë në mënyrë të menjëhershme nga rruga dytësore
në atë nacionale
Viktimat
Suela Shota,
28 vjeçe,
Kejsi Shota,
5 vjeçe
Ardian Cani,
40 vjeç
I plagosur
Ervis Shota,
7 vjeç
FUSHE-KRUJE/ ROLAND NIKOLLI
© Panorama.al











