LIBRAZHD/ KORÇE – Dy aksidente me pasojë vdekjen e dy personave dhe plagosjen e katër të tjerëve u regjistruan në orët e para të mbrëmjes së të hënës. Njëri ndodhi në aksin Elbasan-Librazhd, në vendin e quajtur Mirakë, ndërsa tjetri në rrugën nacionale Korçë- Ersekë. Burime të Policisë bëjnë të ditur se dy mjete janë përplasur me njëritjetrin në vendin e quajtur “Mirakë Plane”, rreth 10 km larg qytetit të Librazhdit, ku automjeti fuoristradë, me targa TR 7444 C dhe me drejtues shtetasin Petrit Qosja është përplasur me makinën “Benz”, me targë EL 21 84 C, me drejtues Aleksandër Budon. Si pasojë e këtij aksidenti ka gjetur vdekjen Ibrahim Shabani, i cili ishte pasagjer në njërin nga mjetet. Ai ndërroi jetë në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Viktima ishte nga fshati Mengël i komunës Labinot- Fushë e Elbasanit. Nga aksidenti kanë mbetur të dëmtuar edhe tre shtetas të tjerë, mes tyre, dy drejtuesit, si edhe një tjetër shtetas, emri i të cilit nuk është identifikuar ende. Të tre ndodhen në spitalin kirurgjik, në terapi intensive. Burime zyrtare konfirmuan se shkak i përplasjes së dy mjeteve ka qenë shpejtësia, si edhe lagështira në rrugë, për shkak të shirave të rënë gjatë gjithë ditës. Grupi hetimor vazhdon të jetë në vendin e ngjarjes për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit me pasojë vdekjen e një shtetasi. Një tjetër aksident i rëndë ndodhi në aksin rrugor Korçë-Ersekë. Viktima është 34-vjecari Kledjan Dauti, ndërsa mësohet se ka mbetur i plagosur rëndë edhe shtetasi Hysni Nuredini 33-vjeç. Sipas të dhënave të para të policisë, makina tip “Benz” me targa ER 1202 A, me të cilën udhëtonin viktima e i plagosuri ka rrëshqitur,duke dalë nga rruga, e më pas është përplasur me një pemë. Dyshohet se dhe në këtë rast shkak është bërë shiu i rënë ditët e fundit.











