Këtë fillim viti Shqipëria u godit nga episode reshjesh të dendura, aq intensive sa në pak ditë u arrit ose u tejkalua norma mesatare mujore. Jemi ende në mes të sezonit të reshjeve (tetor-prill), ndaj shirat nuk ishin të papritur; ajo që erdhi “pa pritur” ishin pasojat. Përmbytjet u shfaqën që me rrebeshin e parë, siç raportuan mediat, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike, sociale dhe mjedisore, veçanërisht në ultësirën perëndimore, por edhe në disa zona të brendshme. Harta e përmbytjeve u zgjerua paralelisht me lëvizjen e frontit atmosferik, sikur territori ynë të ishte i pabanuar nga homo sapiens – njeriu i ditur, që jeton dhe vepron në këtë territor prej mijëra vitesh, por që vazhdon të sillet sikur përmbytjet janë një surprizë.
Si zakonisht, shpërthyen polemikat për fajtorin: autoritetet dhe institucionet përgjegjëse që nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre; natyra, për shkak të reshjeve me intensitet të lartë; apo banorët që janë vendosur në zona me rrezik përmbytjeje.
Në fakt, përgjegjësia nuk mund të përcaktohet pa një analizë të thjeshtë, por thelbësore: pse nuk funksionoi sistemi i evadimit të ujërave të tepërta, atyre që nuk arrijnë të depërtojnë në tokë? Ky sistem përfshin rrjetin e kanaleve kulluese, stacionet e pompimit (hidrovorët) dhe funksionimin e grykëderdhjeve të lumenjve në det.
Pyetja e parë duhet të nisë pikërisht aty ku përfundojnë ujërat sipërfaqësore: A funksionuan siç duhet grykëderdhjet e lumenjve tanë, kur dihet se regjimi i tyre hidrologjik është dëmtuar nga shfrytëzimi i tepruar i inerteve në shtretër dhe nga mbajtja e sedimenteve prej digave të HEC-eve të mëdha e të vegjël (e ashtuquajtura ‘hecomani’)? Përmbytjet masive të vëzhguara sugjerojnë se grykëderdhjet kanë funksionuar në mënyrë të kufizuar, duke mos arritur të sigurojnë mbrojtje efektive të territorit nga rrjedhat e fuqishme.
A ka funksionuar realisht rrjeti i kanaleve kulluese, nga kanalet e treta, te të dytat e deri te të parat, që duhet të shkarkojnë ujin në lumenj ose në kolektorë drejt hidrovorëve? Kanalet e treta ndikojnë në shfaqjen e menjëhershme të përmbytjes në nivel parcele, kanalet e dyta në përhapjen e saj territoriale, ndërsa kanalet e para dhe kolektorët kryesorë përcaktojnë shkallën dhe kohëzgjatjen e përmbytjes masive. Shpejtësia dhe shkalla e përmbytjes tregojnë se ka pasur një mosfunksionim kapilar të rrjetit të kanaleve kulluese.
Po kanalet e ujërave të larta, që kanë për funksion të mbrojnë territorin nga përmbytjet e rrjedhave të fuqishme, a ishin funksionale? Mungesa e të dhënave dhe e raportimeve zyrtare apo mediatike mbi gjendjen dhe performancën e tyre gjatë episodeve të përmbytjeve e bën funksionimin e tyre të paqartë dhe kërkon domosdoshmërish analizë rast pas rasti.
Pse hidrovorët dhe elemente të tjera të infrastrukturës kritike, si kolektorët, vazhdojnë të projektohen, sipas dokumenteve zyrtare, me periudhë kthimi vetëm 20-vjeçare (probabilitet vjetor 5%), sipas logjikës së shekullit të kaluar, kur ndryshimet klimatike nuk ishin ende evidente, ndërkohë që praktikat më të avancuara në Evropë përdorin periudha kthimi mbi 50 vjet (probabilitet <2%)? A bazohet kjo periudhë projektimi për veprat e reja hidroteknike në analiza kosto–përfitim, karakteristikat e pellgut ujëmbledhës dhe ndikimet e pritshme klimatike? A është marrë mendimi i specialistëve hidroteknikë dhe agronomë, kur falë punës së tyre janë bonifikuar dhe kthyer në tokë bujqësore rreth 200 000 ha toka të ish-kënetave? Derisa të publikohet një raport analitik mbi shkaqet dhe pasojat e përmbytjeve, përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve mbeten negative.
A ka dështuar sistemi i menaxhimit të mbetjeve të ngurta dhe ujërave të zeza, ndërkohë që kanalet dhe kolektorët vazhdojnë të bllokohen nga mbeturinat dhe ujërat e zeza, siç është raportuar në media, përhapen në ujërat që përmbytin banesat, duke krijuar një rrezik potencial për shëndetin publik dhe mjedisin? Banorët lokalë mbajnë gjithashtu një pjesë të përgjegjësisë për raportin me mbeturinat dhe ndikimin e tyre në funksionimin e infrastrukturës kulluese.
Dhe, së fundi, pse nuk po përmirësohemi si shoqëri dhe si shtet dhe, për pasojë, papërgjegjshmëria vazhdon të thellohet? Përsëritja e krizave të tilla e dëshmon këtë më së miri. “Sepse nuk pranohet kritika”, do t’i përgjigjej kësaj pyetjeje afro 90 vjet më parë inxhinieri i njohur nga Devolli, Jovan Adami.
Përmbytjet e fundit nuk janë pasojë e një faji të vetëm, por rezultat i një zinxhiri përgjegjësish, ku në krye qëndron projektimi i papërshtatshëm i infrastrukturës kritike dhe dështimi i menaxhimit të ujërave të tepërta, ndërsa faktorët natyrorë vetëm zbuluan këtë dobësi strukturore. Pa planifikim hapësinor serioz, mirëmbajtje të rregullt të kanaleve dhe hidrovorëve dhe menaxhim efektiv të mbetjeve, shirat e dimrit do të vazhdojnë të kthehen në krizë për komunitetet dhe për vendin. Shmangia e përsëritjes së këtyre katastrofave kërkon që përmbytjet të trajtohen si çështje drejtësie, e jo thjesht si çështje teknike apo akademike, e aq më pak si politikë ditore.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












