Përmbytjet, kompensim malli vetëm 3 prej 260 bizneseve

Jan 12, 2012 | 12:08
Nga përmbytjet e dhjetorit të vitit 2010 në Shkodër

Nga 260 biznese të përmbytura dhjetorin e vitit 2010, vetëm tri prej tyre dhe një OJF do të kompensohen financiarisht. Me një vendim të Këshillit të Ministrave nr.842, datë 6.12.2011, për dëmet e shkaktuara në mall, është miratuar dhe një shumë mbi 14 milionë lekë. Nga ky vendim qeverie, ajo që të bie menjëherë në sy është shifra e lartë e bizneseve të verifikuara që kanë pësuar dëme dhe, në kontrast me këtë, është numri tejet i vogël i këtyre subjekteve që qeveria ka përcaktuar se do të dëmshpërblehen. Sipas këtij vendimi të qeverisë, lista e subjekteve e bizneseve të qarkut Shkodër, që janë verifikuar nga grupet e vlerësimit të dëmeve, arrin në shifrën 260 të tilla, si dhe një OJF (Shoqata e Artizanëve Shqiptarë). Nga këto, 202 biznese janë të vogla, ndërsa 58 të tjera kanë qenë biznese të mëdha. Duke iu referuar këtij vendimi të qeverisë të publikuar në fletoren zyrtare me nr.168, datë 29 dhjetor 2011, vërehet se dëmet janë marrë në konsideratë vetëm për 3 biznese dhe një OJF, të cilat do të përfitojnë një shumë totale prej 14.296.315 lekësh. I vetmi person që ka mundur të japë një lloj informacioni, ka qenë drejtori i Drejtorisë së menaxhimit të të ardhurave pranë degës së Drejtorisë rajonale të Tatimeve në Shkodër, Herion Jashari. Sipas Jasharit, këtu kemi të bëjmë me vlerën e dëmshpërblimit vetëm për dëmtimet në mallra dhe të lëndëve të prodhimit të këtyre subjekteve dhe jo të dëmtimeve fizike të objekteve ku ushtronin veprimtaritë ato. “Grupet e verifikimit të kësaj drejtorie, – vazhdon Jashari, – duke u bazuar në urdhrat dhe vendimet e qeverisë, kanë shqyrtuar dokumentacionin e vënë në dispozicion nga këto subjekte të dëmtuara. Vlerësimet e dëmit janë bërë konform ligjeve tatimore dhe çdo pretendim duhet të ishte i bazuar në dokumentacionin ligjor të faturave tatimore të blerjes së mallrave të dëmtuara, inventarëve fizikë, kartelave të magazinës, regjistrimi i aktiviteteve në bilancet e firmave etj. Ndërsa në rastet kur ka pasur pretendime të dëmtimit të makinerive apo pajisjeve që më pas janë vënë në gjendje pune, duhej të paraqitej fatura tatimore për shërbimin e riparimit të tyre.
Vlerësimi i subjekteve të dëmtuara është bërë nga Drejtoria e Tatimeve VIP në kryeqytet”. Sipas Jasharit, akordimi i shumave 0 të dëmshpërblimit ndaj këtyre 257 bizneseve ka ardhur ngaqë këto kanë pasur mangësi në dokumentacionet e mësipërme konform ligjit. Përfaqësuesi i tatimeve thotë se ka rezultuar që vetëm 3 biznese, prej 260 të tillave në total të verifikuara, të kenë qenë në rregull me dokumentacionin e duhur ligjor. Sipas tij, këto shifra tregojnë edhe një herë se funksionimi ligjor i këtyre subjekteve lë shumë për të dëshiruar, ndaj del si detyrë e organeve kompetente që të ushtrojë një kontroll të rreptë dhe rigoroz, me qëllim që të evitohen mangësi të tilla në të ardhmen.

Dëmet e përmbytjes
Në shkallë qarku, sipërfaqja e tokës së përmbytur arriti në rreth 14 mijë ha, ndërsa numri i shtëpive të përmbytura në 4700 të tilla dhe 3 mijë ishin të rrethuara nga uji. Në vendimin e saj të fundit, qeveria ka akorduar fondin prej 1.112.303.342 lekësh, që do të paguajë KESH në buxhetin e shtetit, në një llogari të veçantë për përballimin e dëmshpërblimeve të dëmeve të shkaktuara në kulturat bujqësore dhe në biznese, nga përmbytjet e dhjetorit të vitit 2010 për qarkun e Shkodrës. Ndërsa në të ardhmen pritet të përcaktohet edhe niveli i dëmeve të shkaktuara në gjendjen fizike të 4700 banesave dhe të objekteve të tjera.

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura