Lezhë, u jepet lamtumira viktimave të Xhenovas

Nov 8, 2011 | 17:20
Pas përmbytjeve në Xhenova të Italisë

LEZHE- Shpresa e ëma, dhe dy vajzat Xhoia, 9 vjeçe dhe Xhanisa, 1 vjeçe janë përcjellë sot për në banesën e fundit.

Qindra banorë nga fshati Shënkollë i Lezhës, i kanë dhënë sot lamtumirën gruas dhe dy vajzave të saj që nuk mundën dot t’i mbijetonin përmbytjeve që goditën Xhenovan pak ditë më parë.

Mes të afërmve dhe personaliteteve lokale, i pranishëm gjatë ceremonisë mortore ishte edhe konsulli italian në Shkodër, Roberto Andreoti, i cili e ka quajtur një tragjedi të madhe atë çfarë ndodhi në Xhenova.

Përmbytet Xhenova, vdes  shqiptarja me dy fëmijët

Stuhi të papritura kanë goditur  zonën e Xhenovas në Itali, duke shkaktuar vdekjen e shtatë personave, mes të cilëve dy fëmijë. Të miturit që gjetën vdekjen, 1 dhe 9 vjeç, i përkisnin shtetases shqiptare Shpresa Djala, 28 vjeçe, gjithashtu e vdekur nga rrebeshi. Kanë qenë fillimisht reshjet e dendura të shiut e më pas vërshimi i ujit që është kthyer në baltë, që kanë bllokuar rrugët, ndërsa era e fortë ka dëmtuar pemët dhe linjat elektrike. Vërshimi ka qenë aq i fortë, saqë niveli i ujit ka arritur deri tek xhamat e automjeteve. Shumë makina janë nxjerrë nga vendparkimi dhe janë përplasur mes tyre nën forcën e rrebeshit. Autoritetet lokale kanë raportuar mbrëmë shtatë viktima të konfirmuara, mes të cilave tre janë 28-vjeçarja shqiptare me dy fëmijët e saj. Ngjarja tragjike ka ndodhur në kohën kur gruaja nga Shqipëria dhe dy fëmijët kanë qenë në lagjen e tyre të banimit dhe kanë tentuar të kalojnë rrugën për të hyrë në banesë. Rrebeshi i madh i ujit me baltë i ka marrë përpara, duke i rrëzuar e më pas duke i goditur në muret e ndërtesave. Kufomat e tri viktimave janë gjetur në katet e para të ndërtesave të zonës. Sinoptikanët kanë thënë mbrëmë se rajoni i Xhenovës do të ketë mot me kushte të përkeqësuara, të paktën deri të dielën e ardhshme. Bashkia e qytetit deklaroi mbrëmë në faqen e internetit të saj se: “Situata është shumë seziore, ne i rekomandojmë qytetarët të mos dalin nga banesat e tyre, por të qëndrojnë në shtëpi për të qenë të sigurt. Bartni në katet e sipërme mallrat e dyqaneve dhe mos lëvizni me makinë për asnjë arsye”.
Tragjedia
E gjithë zona e lagjes “Fereggiano” në Xhenova është pushtuar dje nga moti i keq, duke u prekur nga vërshimi i ujërave dhe baltës. Veç gruas shqiptare me dy fëmijët e saj, edhe katër persona të tjerë kanë gjetur vdekjen nga rrebeshi i djeshëm në Xhenova. Sipas autoriteteve, viktima janë dy gra, 40 dhe 20 vjeçe, si dhe dy persona të tjerë, njëri 51 vjeç dhe tjetri 20 vjeç. Ditën e djeshme, në të gjithë zonën kanë hyrë në veprim zjarrfikëset që kanë bërë izolimin e linjave të gazit dhe po ashtu ndërprerjen e energjisë elektrike. Përmbytjet e para ndodhën në orët e mëngjesit dhe vazhduan deri në mbrëmje. Qarkullimi i mjeteve dhe transporti është i paralizuar, ndërkohë që në lagjen “Fereggiano” është shpallur gjendja e katastrofës natyrore. Dëshmitarët kanë thënë se kanë parë persona të ndryshëm që janë zhdukur në ujë dhe në baltë, ndërsa ecnin në rrugë ndërkohë që mbrëmë, tre persona ishin shpallur të zhdukur, pasi nuk gjendeshin.

Dëmet
Dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e djeshme në Xhenova të Italisë janë të panumërta. Qindra mijëra automjete janë dëmtuar si pasojë e lagështirës, mbytjes dhe përplasjes me njëri-tjetrin apo me objekte të tjera. Ndërkohë, katet e para të ambienteve të banimit apo të biznesit janë mbytur në baltë me gjithë pajisjet dhe materialet e tjera të përdorimit të përditshëm. Autoritetet kanë thënë se dëmi ekonomik i katastrofës së ndodhur në Xhenova është i konsiderueshëm.

© Panorama.al

Te lidhura