Sherri mes dy personave përfundon në përleshje me thika dhe me një prej tyre të plagosur.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Vullnetari” në Elbasan, ku një 33-vjeçar tashmë i arrestuar, me precedentë penalë për vjedhje, akuzohet se ka plagosur një 52-vjeçar.
I plagosuri ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Autoritetet po hetojnë ngjarjen, dinamikën dhe shkaqet e saj, teksa i dyshuari B.S., po mbahet në paraburgim, në pritje të masës së sigurisë.
“Menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen “Vullnetari”, një shtetas ishte plagosur me mjet prerës (thikë), shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar të plagosjes, shtetasit-B. S., 33 vjeç, banues në Elbasan”, bëri me dije policia vendore.
Nga hetimet dyshohet se dje, në lagjen “Vullnetari”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me thikë S. D., 52 vjeç.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “plagosja e rëndë me dashje” dhe “prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
© Panorama.al












