Përleshen vëllezërit, 2 të plagosur

Sep 7, 2011 | 11:05

TIRANE – Konflikti, nën efektin e alkoolit, mes katër personave ka përfunduar me dy të plagosur me thika, një të arrestuar dhe një tjetër në kërkim. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:30, pas mesnatës të së hënës, në lokalin e Pëllumb dhe Dritan Dervishit, në afërsi të Kombinatit. Burime nga policia thanë se sherri fillimisht ka nisur me fyerje të ndërsjella nga tavolina në tavolinë, mes Leonard Duros, 33 vjeç dhe Dritan Dervishit, 38 vjeç. Të dy protagonistët ishin me vëllezërit e tyre respektivë në tavolina dhe pas fyerjeve janë ngritur në këmbë, duke u përleshur fizikisht me njëri-tjetrin. Burime nga policia e kryeqytetit thanë se Leonard Duro ka qëlluar me thikë në bark Dritan Dervishin, duke e plagosur rëndë. Më pas, në konflikt janë përfshirë edhe dy vëllezërit e protagonistëve. Pëllumb Dervishi, 36-vjeç, vëllai i të plagosurit, në pamundësi për t’u hakmarrë drejtpërdrejt tek autori i ngjarjes, i cili ishte larguar, ka goditur me kaçavidë, vëllanë e tij, Besnik Duro, 25 vjeç, që ndodhej ende pranë lokalit.

© Panorama.al

Te lidhura