Përjashtohet Ksamaksi, Sallaj pa ekip

Jan 19, 2012 | 13:12

Telashet për futbollin zviceran nuk kanë të sosur. Ekipit të Nojshatel Ksamaksit i është hequr licenca duke u përjashtuar nga Superliga zvicerane ende pa mbushur një vit, përpara se aksionet e klubit të përvetësoheshin nga miliarderi çeçen, Bulat Çagaev. Në një deklaratë lëshuar të mërkurën nga federata helvete, thuhej se vendimi drastik ishte marrë i motivuar nga dyshimet për një falsifikim të dokumentit bankar, që shërbente si garanci financiare. Duke qenë se klubi nuk jepte më garanci financiare për lojtarët dhe stafin, Komisioni i Disiplinës vendosi përjashtimin e skuadrës. Kujtojmë se në klubin zviceran aktivizohen 3 lojtarë shqiptarë: mesfushori 21-vjeçar Vullnet Basha, mesfushori 23-vjeçar Shkëlqen Gashi, i cili është huazuar te ekipi i Araut, por edhe mbrojtësi Agonit Sallaj. 21-vjeçari është i huazuar te Biel Biene dhe është pjesë e Kombëtares shqiptare. Nojshatelit i janë zbritur 8 pikë nga klasifikimi pak kohë më parë, pasi u gjetën parregullsi në pagesat dhe sigurimet shoqërore të lojtarëve. Bosi Çagaev e bleu klubin majin e shkuar me objektivin për ta shndërruar në një superskuadër që do kualifikohej edhe në Champions. Por prej atëherë, ai ka shkarkuar 4 trajnerë, është bojkotuar nga tifozeria dhe ka përjashtuar disa lojtarë dhe stafin. Ai kujtohet dhe për incidentin e kërcënimit të lojtarëve me pistoletë në dhomat e zhveshjes. Miliarderi rus ka nisur një luftë me mediat, e cila sipas tij e ka persekutuar për shkak të origjinës. Klubi nuk ka bërë asnjë koment pas vendimit, ndërkohë që ka 5 ditë kohë për ta apeluar atë.

Renditja/ Kombëtarja humb 3 vende pa luajtur
Kombëtarja shqiptare ka humbur 3 pozicione në renditjen e FIFA-s, ndonëse nuk ka luajtur asnjë ndeshje prej klasifikimit të fundit në muajin dhjetor. Kuqezinjtë e De Biazit zbritën në vendin e 77-të, nga i 74-ti që ruanin në vitin 2011. Nuk ndryshon asgjë në kreun e renditjes, ku konfirmohen edhe një herë tjetër superfuqitë në krye. Kampionët e Botës dhe Europës, Spanja vijojnë të ruajnë primatin në kuotën e 1564 pikëve, ndjekur nga nënkampionët e Botës, Holanda me 1345 pikë dhe Gjermania me 1309 pikë. Në vend të 4-t renditen amerikano-latinët e Oskar Tabarezit, Uruguai. Anglia konfirmohet një shkallë më poshtë, duke lënë pas dy kombëtaret e “seleçao”-s, Brazilin dhe Portugalinë. Top 10-shen e mbyllin italianët dhe argjentinasit.

© Panorama.al

Te lidhura