Përgjimi i Metës, betohen dy nga 3 ekspertët

Sep 29, 2011 | 11:11

TIRANE – Dy nga tre ekspertët, që do të ekspertojnë video-regjistrimin “Meta-Prifti” për llogari të gjykimit të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta në Gjykatën e Lartë, u betuan dje para gjykatës për ruajtjen e sekretit të ekspertimit. Procedura e betimit të ekspertëve nuk është zhvilluar në seancën e fundit, me qëllim për t’i lënë kohë të mjaftueshme ekspertëve të njiheshin me detyrat e përcaktuara nga ana e Kolegjit Penal. Burime zyrtare të Gjykatës së Lartë konfirmuan se formula e betimit për ruajtjen e sekretit u artikulua dje para Kolegjit Penal vetëm nga ana e ekspertëve Ardian Pollo dhe Ermal Beqiri. Eksperti i tretë, Artur Rrahmani, nuk u paraqit për shkak të problemeve shëndetësore. Seanca për betimin e tij do të zhvillohet më 30 shtator. Sipas burimeve, në lidhje me seancën e djeshme, palët ishin njoftuar nga gjykata sipas mënyrave ligjore procedurale dhe ishin të pranishme në seancë. Tre ekspertët, që do të ekspertojnë video-regjistrimin “Meta-Prifti”, pas publikimit të të cilit Meta u akuzua për “korrupsion”, u caktuan nga Gjykata e Lartë në seancën e 23 shtatorit. Në realizimin e ekspertimit, ata duhet t’u përgjigjen 18 detyrave të kërkuara nga Kolegji Penal. Ekspertimi i provave të sekuestruara nga Prokuroria, USB-së, orës dhe lap-topit të Priftit do të mbikëqyret nga një përfaqësues i Prokurorisë.     ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura