Përfundon ekspertiza: Durrës, oficeri i SHISH, i gjallë kur u dogj makina

Nov 1, 2011 | 10:07

ISA ÇOPA, OFICERI I SHISH NE DURRES, QE U GJET I DJEGUR NE MAKINE (djathtas) MAKINA E DJEGUR

Ekspertiza: Isa Çopa ka mostra të dioksidit të karbonit në mushkëri

Gjurmët e gazit karbonik të gjetura në mushkëritë e Isa Çopës, oficerit të SHIK-ut që u gjet i djegur në makinë një javë më parë në Durrës, ndërlikojnë edhe më shumë skenën e ngjarjes. Në përfundim të ekzaminimeve për lëndë të huaja në kufomën e oficerit 49-vjeçar të Shërbimit Informativ, specialistët kanë konstatuar se në mushkëritë e viktimës ka sasi gazi karbonik (CO2) çka tregon se gjatë djegies së makinës, nënkryetari i SHIK-ut të Durrësit ka marrë frymë deri në vdekje. Si pasojë e frymëmarrjes, tymi i kthyer në gaz karbonik ka depërtuar në rrugët e frymëmarrjes dhe deri në mushkëritë e 49-vjeçarit, duke i shkaktuar atij pamundësinë e furnizimit me oksigjen. Prania e gazit karbonik në mushkëri, sipas hetuesve, shpjegon faktin se oficeri i SHIK-ut ka qenë gjallë kur është djegur makina. Një version i tillë duket se hedh poshtë mundësinë që Isa Çopa të jetë vrarë njëherë dhe pastaj makinës t’i jetë vënë flaka. Një version i tillë u dyshua për shkak të dy frakturave të gjetura në kokën e oficerit 49-vjeçar, çka hodhi dyshime se ai mund të jetë goditur me mjete të forta para zjarrvënies në makinë dhe më pas mund t’i jetë vënë flaka.
Hetimet
Një javë pasi oficeri i SHIK-ut u gjet i djegur në makinë, Policia dhe Prokuroria e Durrësit po vazhdojnë ende hetimet në dy pista: vrasje dhe vetëvrasje. Vëmendja e hetuesve është përqendruar në analizat që do të vinë në Durrës nga laboratori i kriminalistikës së Tiranës, ku edhe janë dërguar për ekzaminim kampionet e gjakut të marra në shtyllën kurrizore dhe në zemrën e viktimës. Nga ekspertiza e kryer ditën që oficeri është gjetur i djegur në makinën e braktisur në Currila, ka rezultuar se ai nuk është vrarë më parë, por vdekja ka ardhur nga djegia e mjetit me zjarr. Sipas hetuesve, ai nuk kishte vdekur në kohën që autoveturës “Opel Corsa” iu vu zjarri. Sipas burimeve nga Policia, për përfundimin e hetimeve pritet analiza e gjakut të viktimës, gjak që është marrë në dy pjesë të trupit: në kurriz e në zemër. Fjala është për një analizë hispatologjike, e cila pritet të përfundojë në ditët e ardhshme. Drejtori i Policisë së qarkut, Aleks Hajdari, ka deklaruar lidhur më çështjen në fjalë se “po hetojmë të dy pistat, por deri tani nuk kemi të dhëna që ne të dëshmojmë se viktima është vrarë. Më shumë për ne qëndron versioni i vetëvrasjes”.

LEONIDHA MUSAJ/ DURRES

© Panorama.al

Te lidhura