Përfaqësuesi i minatorëve takon në Vjenë pronarin e “Decometal”

Sep 5, 2011 | 11:05
Sindikalisti Taf Koleci

BULQIZE – Presidenti i Konfederatës së Industrisë të Shqipërisë, Taf Koleci, udhëton drejt Vjenës për të takuar bashkëpronarin e kompanisë “Decometal”, Rudolf Depichc. I pyetur nga gazeta, Koleci pohon se javën e shkuar ka qëndruar me të për rreth 3 orë, në një takim të mbajtur në Aeroportin e Vjenës. “Vendin e takimit e zgjodha unë”, shprehet Koleci, duke deklaruar se në asnjë rast nuk ka menduar të luajë me lëvizjen sindikaliste të minatorëve të Bulqizës. E gjithë biseda sipas Kolecit është përqendruar rreth 12 pikave të marrëveshjes së këshilli sindikal dhe komisioni i grevës i kanë propozuar ACR-së për ta firmosur. “Unë ia kam bërë të ditura bashkëpronarit të ACR-së të gjitha kërkesat e minatorëve. Depichc më dëgjonte me vëmendje dhe herë pas here ndërhynte për ndryshimin e ndonjë kërkese të minatorëve”, tha Koleci për “Panorama”. Megjithëse përpiqet të jetë i rezervuar në ato që thotë, Koleci nënvizon se ka pasur një takim me drejtuesit e këshillit sindikal të minatorëve dhe ua ka bërë të njohur thelbin e bisedës me bashkëpronarin e ACR-së. Sipas kryesindikalistit të Industrisë, Giga Bedineishvili është shkaktari i situatës së krijuar për minierën e Bulqizës. “I thashë Depichc se Giga nuk ka komunikim korrekt me minatorët dhe përfaqësuesit e tyre. Ai ka mentalitet komunisti dhe u ka krijuar shumë probleme si kompani”. Koleci tha se Depichc është shprehur se ai ka dëshirë të zgjidhen kërkesat e minatorëve, por më shumë se dy herë kërkoi që minatorët të hiqnin dorë nga largimi i drejtorit të minierës së Bulqizës, duke e konsideruar atë si një njeri korrekt dhe të aftë për të hapur puset e thellësisë. “Depichc më tha se Medat Zogu është burrë i mirë dhe vetëm ai është i aftë të kryejë investimet e thellësisë, pasi është inxhinier i asaj fushe”, pohoi Koleci. Ai shtoi se është përpjekur ta bindë bashkëpronarin e ACR-së se pa largimin e drejtorit të minierës protestat nuk ndalen dhe se ka plot inxhinierë të tjerë që mund të punojnë për thellimin e puseve në minierë. Ndërkaq, nuk kanë munguar replikat mes Depichc e Kolecit për investimet e kryera. “Nuk është e vërtetë zoti Depichc, – është shprehur Koleci, – që në minierën e Bulqizës janë kryer 32 milionë euro investime. Me këto para do të ishin hapur tri puse të thellësisë. Ju kanë mashtruar me blerje fiktive dhe fatura të fryra. Ne e njohim mirë minierën dhe e dimë sa fonde janë shpenzuar për minierën e Bulqizës”, kanë qenë argumentet e Kolecit. Drejtuesit sindikalistë sot presin që Kuvendi i Shqipërisë të diskutojë për gjendjen e tyre, ndërkohë të martën ose të mërkurën presin një zgjidhje konkrete nga pronarët e ACR-së, mbase nënshkrimin e projekt-marrëveshjes që sindikata i ka vënë në dispozicion.            h.p

© Panorama.al

Te lidhura