Përballja e partive greke, PBDNJ mund MEGA-n

May 11, 2011 | 10:37

GJIROKASTER/ SARANDE – Përballja e dy partive të minoritetit grek përfundon në favor të PBDNJ-së. Kjo parti ka siguruar të gjitha komunat në Gjirokastër, ndërsa ka humbur një prej tyre në Sarandë, pikërisht në komunën e Finiqit. Kjo komunës është rimarrë sërish nga Ziso Lluci, i cili në dy mandate të mëparshme ka kandiduar nën siglën e PBDNJ-së, ndërsa tani nga partia më e re e minoritetit, MEGA. Fitorja e tij ishte shumë e ngushtë, me një diferencë prej 6 votash, përballë kandidatit të PBDNJ, Sokrat Spiro. Dy orë pas fitores, i pyetur për gazetën, Ziso Lluci u shpreh se do të vazhdojë investimet në këtë komunë, kryesisht në infrastrukturë. “Me projekte të sakta do të mbështetemi si deri më tani nga qeveria shqiptare dhe natyrisht edhe nga ajo greke”, pohoi Lluci. Ndërsa në Gjirokastër, PBDNJ mundi MEGA-n në zgjedhjet e zhvilluara në komunat minoritare në rrethin e Gjirokastrës. Procesi i numërimit të votave mbaroi për komunat e Dropullit të Sipërm e të Poshtëm në rrethin e Gjirokastrës, si dhe në Komunën e Pogonit dhe në përfundim të këtij procesi, kandidatët e “Aleancës për të ardhmen”, kanë rezultuar fitues në komunat minoritare. Sipas sekretarit të KZAZ Nr. 25, Belul Hila, kandidati i PBDNJ në Dropullin e Sipërm, Dhimitraq Duci, ka fituar 60% të votave, kundrejt rivalit të Aleancës për Qytetarin, i Partisë MEGA, me 40%. Fitore edhe më të thellë ka arritur kandidati i PBDNJ në komunën e Dropullit të Poshtëm, Dhimitër Maluqi, ku në garën me kundërshtarin e MEGA-s, Lefter Baruta, kandidati i PBDNJ ka fituar me 62% të votave ndaj 38%. Edhe në komunën malore të Pogonit, kandidati i PBDNJ, fitoi me një diferencë të ndjeshme votash, me përfaqësuesin e MEGA prej katër vitesh kryetar komune Taqi Mejdi. p.n/sh.d

© Panorama.al

Te lidhura