
Buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2012 do të jetë 70 milionë dollarë. Investimet nuk do të fokusohen vetëm në qendër, por në të gjitha njësitë bashkiake të kryeqytetit. Prioritare do të jetë infrastruktura, por nuk do të mbeten pas as cilësia e jetës dhe punësimi. Një fakt mjaft interesant konfirmojnë burime zyrtare nga Bashkia, është se nga 11 njësitë bashkiake të kryeqytetit, investimet më të mëdha janë planifikuar për Njësinë Nr. 5, e cila është njohur si bastion i së majtës, dhe ku kulmoi gara në zgjedhjet e 8 majit për kreun e ri të Bashkisë. Ndërkohë, nga sa bëri me dije dje vetë kreu i saj, Lulzim Basha, janë planifikuar konsultime me qytetarët. Në total janë planifikuar 10 takime, 4 me praninë e vetë kryebashkiakut, ndërsa 6 të tjera do të drejtohen nga nënkryetarët e Bashkisë. Sipas Bashës, trefishimi i investimeve publike i përmbahet filozofisë së qytetarëve. “Qendra ka rëndësinë e vet, sepse na përket të gjithëve, po qendra nuk është dhe nuk do të jetë më kurrë qendra e vëmendjes së Bashkisë së Tiranës. Do të jetë kudo ku qyteti nis përtej pragut të derës së çdo qytetari, çdo banese private, çdo pallati. Një trefishim të investimeve publike, krahasuar me periudhën më të mirë të investimeve publike të Bashkisë së Tiranës në këta 20 vjet dhe reflekton një shpërndarje të qartë të burimeve tona anembanë qytetit”, tha Basha. Ai theksoi se punësimi, cilësia e jetës dhe infrastruktura janë shtyllat kryesore, mbi të cilat është hartuar projektbuxheti i vitit 2012. “Në funksion të punësimit, si prioritet kryesor i Bashkisë së Tiranës janë parashikuar fonde për mbështetjen e biznesit, përmirësimin e klimës dhe krijimin e kushteve për investitorët dhe biznesin, në qytetin e Tiranës dhe krijimi i një fondi të veçantë për nxitjen e punësimit”, tha kryebashkiaku. Gjithashtu, nën projektbuxhet janë parashikuar fonde të veçanta, në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetës. “Projektbuxheti reflekton një shpërndarje të qartë të burimeve tona anembanë qytetit, pasi jemi konsultuar me kryetarët e 11 njësive bashkiake, pavarësisht ngjyrave partiake që përfaqësojnë. Projektbuxheti parashikon investimet më të mëdha në infrastrukturën e çdo lagjeje, në infrastrukturën e çdo blloku anembanë qytetit”, theksoi kryebashkiaku.
Investimet
Projektbuxheti parashikon investime
të mëdha në infrastrukturë. Rehabilitimi i shesheve në zona të ndryshme të Tiranës, krijimi i hapësirave te gjelbra, rikonstruksioni dhe ndërtimi i rrugëve në lagjet e qytetit, shkollat, kopshtet, çerdhet dhe ujësjellës- kanalizimet do të mbështeten me fonde nga buxheti i Bashkisë së Tiranës. Gjithashtu, një zë i veçantë në buxhet është parashikuar edhe për punësimin.
Konsultimet
Para se të kalojë për miratim në Këshillin Bashkiak më 28 dhjetor, projektbuxheti do të konsultohet me qytetarët. Duke nisur nga java që vjen, janë parashikuar 10 takime ku do të dëgjohen kryeqytetasit, në mënyrë që problemet më emergjente që ata kanë, të pasqyrohen dhe në investimet e Bashkisë. “Dy javët e ardhshme, projektbuxheti do i nënshtrohet një konsultimi me publikun dhe me qytetarët, para se të marrë vulën e Këshillit Bashkiak”, tha dje kryebashkiaku Basha.
Tregjet
Tregjet në Tiranë do t’i nënshtrohen rikonstruksionit të ambienteve ku tregtojnë mallra ushqimore. “Kjo është sfida jonë e ardhshme. Do të fillojmë te pikat më kritike, ku praktikisht dhe infrastruktura lë shumë për të dëshiruar. Kemi plan për të rehabilituar tregun e shumicës tek Porcelani, i cili është në gjendje shumë të keqe. Duke vazhduar më pas në mënyrë sistematike me tregjet e tjera”, është shprehur Edmond Panariti, nënkryetar i Bashkisë Tiranë.
Vizita e Bashës me ambasadorin e OSBE
“Brenda 2 viteve, aq çerdhe sa kërkesat e qytetarëve”
Brenda dy viteve, numri i çerdheve në Tiranë do të jetë i mjaftueshëm për të mbuluar të gjitha kërkesat e qytetarëve. Në buxhetin e vitit 2012 vend të veçantë do të zërë restaurimi dhe ndërtimi i çerdheve të reja. Këtë premtim bëri dje kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Aurela, së bashku me ambasadorin e OSBE-së, Eugen Volfarth dhe bashkëshorten e tij Ana Maria, ishin sot në çerdhen numër 11, në Laprakë. OSBE ka mundësuar pajisjen e kësaj çerdheje me mjete të domosdoshme, si shtretër, dyshekë, frigoriferë, ngrohëse, peshqirë, batanije, çarçafë, tapete dhe një kënd lojërash, duke kontribuar kështu në përmirësimin e ndjeshëm të kushteve për 34 fëmijët e kësaj çerdheje, ndërkohë që Babagjyshi i Vitit të Ri ka shpërndarë dhurata të veçanta, dedikuar këtyre fëmijëve. “Në planifikimin tonë afatmesëm synohet që, brenda dy viteve të ardhshme, numri i çerdheve në të gjithë territorin e qytetit të jetë i mjaftueshëm për të përmbushur kërkesat e qytetarëve, kërkesë që sot është më e madhe, sesa mundësitë për t’i përballuar, me numrin e çerdheve aktuale”, tha Basha. Sipas tij, Tirana do të lërë mbrapa kohën kur prindërit kërkojnë çerdhe e nuk ka mjaftueshëm vende për fëmijët e tyre. Çerdhet e Tiranës do të përmbushin plotësisht standardin europian, siç aplikohet kudo në Europë. “Nuk është diçka e lehtë, por është diçka plotësisht e arritshme dhe hapi që do të hedhim me buxhetin e vitit 2012, është hapi i parë në këtë drejtim”, tha Basha. Ambasadori i OSBE-së nënvizoi domosdoshmërinë që të gjithë të japim pak më shumë dashuri dhe ngrohtësi për fëmijët: “Me aq fonde sa mund të siguronim, u përpoqëm të ndihmonim këtë çerdhe, fëmijët e kësaj çerdheje, me disa pajisje të nevojshme, që t’i bëjnë ata të lumtur, jo vetëm për Krishtlindje, por edhe për muaj të tërë në vijim”, tha Volfarth.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











