
Ardian Dervishi u vra në sy të punëtorëve të firmës së tullave. Në kërkim 31-vjeçari, Adnand Gori.
Do ndërtonte pallat, s’ra dakord për përqindjen me pronarin e tokës.
Vritet me armë zjarri një biznesmen 45-vjeçar në qytetin e Vlorës. Sipas Policisë, viktima është Ardian Dervishi, ndërtues i njohur në këtë qytet, ndërsa autori i krimit është një 31-vjeçar, i cili është shpallur në kërkim. Ngjarja e rëndë ndodhi në ambientet e biznesit të viktimës, i cili fillimisht ka mbetur i plagosur nga një plumb që e ka kapur në kraharor. Burime të Policisë së Vlorës bënë të ditur se 45-vjeçari Dervishi ka gjetur vdekjen në spital disa orë më vonë. “Rreth orës 14:00, në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Vlorë është marrë njoftim se në afërsi të Rrugës Transballkanike është plagosur një person. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se në lagjen ‘1 Maji’ në afërsi të Rrugës Transballkanike është plagosur me armë zjarri shtetasi Ardian Dervishi, 45 vjeç, ndërtues. Ai është transportuar për në Spitalin Rajonal të Vlorës ku dhe ka ndërruar jetë rreth orës 19:00 si pasojë e plagëve të marra. Autori i dyshuar për këtë ngjarje është shtetasi Adnand Gori, 31 vjeç, banues në lagjen ‘1 Maji’ në Vlorë”, bëri të ditur mbrëmë Policia. Blutë kanë shpallur në kërkim autorin e dyshuar, por deri në orët e vona të mbrëmjes ai nuk është arrestuar. Policia ka vënë postblloqe në të gjitha hyrje-daljet e Vlorës me qëllim për të mos e lënë autorin të largohej nga qyteti. Ndërsa janë kryer kontrolle në disa banesa ku dyshohej se ai mund të strehohej. “Nga hetimet ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur për motive pronësie. Dy personat mendohet se janë konfliktuar për një sipërfaqe ndërtimi ku po bëhet një pallat”, bëri të ditur Policia. Sipas burimeve, viktima Dervishi po ndërtonte një pallat në një truall që ishte në pronësi të autorit të dyshuar. Ata kishin nënshkruar një marrëveshje me njëri-tjetrin, por më pas kishin lindur konflikte pasi pronari i truallit nuk kishte rënë dakord me përqindjen që i kishte lënë ndërtuesi. Pasi nuk e kanë zgjidhur dot verbalist këtë konflikt, ditën e djeshme 31-vjeçari ka shkuar në një magazinë në Transballkanike, të cilën 45- vjeçari Dervishi e kishte biznes të tij me tulla për ndërtim. Ngjarja ka pasur dëshmitarë 3 punëtorë, të cilët kanë deponuar në polici gjithçka kishte ndodhur. Pas një sherri që ka zgjatur disa minuta, i riu ka nxjerrë armën duke e qëlluar viktimën, dhe më pas është larguar.
VLORE/ QEMAL BIRAKU











