Për hipotekën, ndryshon skema e shitjes së pasurive të paluajtshme

Dec 8, 2011 | 10:40

Opozita: Ndryshimet do shtojnë burokracitë për qytetarin.

Noteri shkon në ZRPP dhe tërheq aktin e pronësisë së qytetarit.

Qeveria ndryshon procedurën e shitjes së pasurive të paluajtshme. Drafti i ri, i cili u miratua në fillim të muajit tetor në Këshillin e Ministrave, është diskutuar dje në Komisionin e Ligjeve, ku opozita u shpreh skeptike për rregullat e reja dhe abstenoi (vetëm Arben Isaraj votoi kundër). Pas miratimit vetëm me votat e maxhorancës, akti do të kalojë në seancën parlamentare dhe do të presë datën 1 mars kur do të hyjë në fuqi. Sipas përfaqësuesve të qeverisë, dixhitalizimi i procesit përfundon brenda marsit edhe në Durrës dhe deri në fund të 2012-s do të përfundojë në të gjithë vendin.
Procedura e re
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, sqaroi në mbledhjen e Komisionit të gjithë hapat që do të ndiqen nga qytetarët që blejnë pasuritë e paluajtshme dhe aplikojnë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive (ZRPP) për ndryshimin e emrit në aktin e pronësisë. Sipas procedurave aktuale, fillimisht shitësi i pasurisë së paluajtshme bën rifreskimin e kartelës, e paraqet atë te noteri, ku së bashku me blerësin, nënshkruajnë kontratën. Më pasi, kur blerësi ka derdhur të gjitha detyrimet financiare te shitësi, shkon në ZRPP për të ndryshuar emrin në aktin e pronësisë. Me ligjin e ri, të gjitha këto procedura tashmë do t’i bëjë noteri. “Me procedurën e re do të kemi një model krejt tjetër të kësaj veprimtarie. Shitësi, bashkë me blerësin do të paraqiten te noteri. Nuk ka nevojë që shitësi të ketë rifreskuar vërtetimin e pronësisë, por do të paraqitet vetëm me një vërtetim të vjetër të tij. Noteri në atë moment do të futet nëpërmjet sistemit online, që është i lidhur me ZRPP, brenda pak sekondave do të vërtetojë që shitësi është apo jo pronar real i kësaj pasurie dhe do të kryejë kontratën. Noteri duhet të ketë një llogari bankare dhe blerësi kalon në llogarinë e noterit shumën me të cilën do të blihet pasuria. Noteri, pasi ka bërë verifikimin online dhe nëse nuk ka asnjë pengesë ligjore për të kryer transaksionin, do të marrë edhe vërtetimin e pronësisë në ZRPP në emër të blerësit, do të kthehet te palët dhe do t’i çojë blerësit aktin e pronësisë”, tha ministri Halimi.
Debatet
Nga ana e saj opozita u shpreh skeptike për këtë procedurë. Nënkryetari socialist i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, u shpreh se me ligjin e ri do të jetë noteri që do të vihet përballë burokracive të administratës. “Sa kohë që ky proces nuk është mbyllur, qytetari do të jetë përballë dy vuajtjeve: një përballë noterit dhe një që do ta transferojë noteri te qytetari për shkak të problemeve që do të ketë noteri te ZRPP-ja. Instrumentet që na bëjnë bindëse në interes të qytetarit nuk janë që të më bindin që unë ta votoj pro këtë ligj, prandaj, si hap i parë, duke ndjekur dhe duke parë diskutimet, duke njohur dhe ligjin, ndoshta mund të evoluojë. Unë do të abstenoj”, tha Xhafaj. Në përgjigje të skepticizmit të opozitës, Halimi theksoi se “skepticizmi në një proces të tillë nuk ka pikë kuptimi, sepse së pari ne kemi ndërmarrë një nismë që e ofron shërbimin e noterisë në Shqipëri me shërbimin e noterisë në vendet e BE-së, e bën shërbimin e noterisë në Shqipëri lider në rajon. Asnjë nga vendet e rajonit nuk ka filluar ta implementojnë procesin e dixhitalizimit”.

Debati në Komision
Eduard Halimi (ministër i Drejtësisë):
Sot, për të kryer një transaksion blerësi dhe shitësi, para se të shkojnë te noteri, shitësi duhet të shkojë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të rifreskojë aktin e vet të pronësisë. Pasi ka shkuar dhe ka bërë kërkesën në ZRPP, do të presë edhe rifreskimin që janë jo më pak se 10 ditë, do të paraqiten te noteri, do të nënshkruajnë kontratën te noteri, do të përfundojnë kontratën, do të kryejnë pagesat respektive siç është ligji aktual, më pas blerësi do të paraqitet në një moment tjetër në ZRPP, do të bëjë kërkesë për ta regjistruar dhe në rastin më të mirë blerësi do të marrë prej andej, në ditën e 30-të, një vërtetim pronësie. Kjo është praktika e derisotme. Me procedurën e re do të kemi një model krejt tjetër të kësaj veprimtarie. Shitësi bashkë me blerësin do të paraqiten te noteri. Nuk ka nevojë që shitësi të ketë rifreskuar vërtetimin e pronësisë, por do të paraqitet vetëm me një vërtetim të vjetër të tij. Noteri në atë moment do të futet nëpërmjet sistemit online, që është i lidhur me ZRPP, brenda pak sekondave do të vërtetojë që shitësi është apo jo pronar real i kësaj pasurie dhe do të kryejë kontratën. Noteri duhet të ketë një llogari bankare dhe blerësi kalon në llogarinë e noterit shumën që do të blihet pasuria. Noteri, pasi ka bërë verifikimin online dhe nëse nuk ka asnjë pengesë ligjore për të kryer transaksionin, do të marrë edhe vërtetimin e pronësisë në ZRPP në emër të blerësit, do të kthehet te palët dhe do t’i çojë blerësit aktin e pronësisë.
Shega Ligori: Qytetarët e kanë të detyruar këtë mënyrë veprimi, apo është alternative?
Eduard Halimi: Për idenë e veprimeve online ne iu referuam eksperiencës me dëshmitë e penalitetit. Ne hoqëm radhët dhe e kthyem në një shërbim online. Thamë se me shenjat e gishtave mund të verifikohet gjendja e kriminalitetit të gjithsecilit. Këtë mënyrë të vepruari e morëm dhe e implementuam edhe këtu. Qytetarët do të shkojnë te noteri sepse e kërkon Kodi Civil, dhe paratë do t’i derdhin te llogaria e noterit. Për të shkuar në hipotekë, qytetarët mund të shkojnë vetë. Për këtë rast mund të ketë një shërbim dhe një tarifë ekstra, për shembull 10 euro, që noteri të shkojë në ZRPP. Por qytetari edhe mund të mos dojë dhe të shkojë vetë në ZRPP.
Fatmir Xhafaj: Sa kohë që ky proces nuk është mbyllur, qytetari do të jetë përballë dy vuajtjeve, një përballë noterit dhe një që do ta transferojë noteri te qytetari për shkak të problemeve që do të ketë noteri te ZRPP-ja. Instrumentet që na bëjnë bindëse në interes të qytetarit nuk janë që të më bindin që unë ta votoj pro këtë ligj, prandaj, si hap i parë, duke ndjekur dhe duke parë diskutimet, duke njohur dhe ligjin ndoshta mund të evoluojë, unë do të abstenoj.
Shega Ligori: Të paktën Kryeministri apo të tjerë nuk do shpifin me pasuritë e opozitarëve sepse do t’i shohë online dhe do të ndizet flamuri i kuq apo blu. Por, në fakt, opozita ka diçka që nuk i shkon sepse duke klikuar nuk gjen dot sekserët.
Eduard Halimi: Skepticizmi në një proces të tillë nuk ka pikë kuptimi sepse së pari ne kemi ndërmarrë një nismë që e ofron shërbimin e noterisë në Shqipëri me shërbimin e noterisë në vendet e BE-së, e bën shërbimin e noterisë në Shqipëri lider në rajon. Asnjë nga vendet e rajonit nuk ka filluar ta implementojnë procesin e dixhitalizimit.

Ndryshimet në ligj
Neni 26 ishte

Për kryerjen e akteve e të veprimeve noteriale paguhet një tarifë, e cila caktohet nga Ministria e Drejtësisë, duke marrë edhe mendimin e Ministrisë së Financave dhe të Këshillit Kombëtar të Noterisë.
Neni 26 bëhet
Për kryerjen e akteve e të veprimeve noteriale si dhe për shërbimin noterial të regjistrimit të akteve për tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme paguhet një tarifë, e cila caktohet nga Ministria e Drejtësisë, duke marrë edhe mendimin e Ministrisë së Financave dhe të Këshillit Kombëtar të Noterisë.
Neni 49 shtohet një paragraf
Në rastet e tjetërsimit të pasurisë së paluajtshme tregohen verifikimi i noterit në regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme, si dhe mënyra e derdhjes së çmimit të tjetërsimit në llogarinë bankare të tij. Procedura teknike për derdhjen e pagesës përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave.
Neni 54 ishte
Akti noterial për tjetërsimin ose njohjen e pronësisë mbi sende të paluajtshme, ose të një të drejte reale mbi to, kryhet nga noteri, pasi të ketë verifikuar pronësinë e palës mbi sendin e paluajtshëm. Për këtë qëllim ajo i paraqet noterit dokumentet e pronësisë të lëshuara nga organi kompetent dhe, kur sendi nuk figuron i regjistruar, një vendim gjyqësor detyrimi për vërtetim pronësie. Noteri duhet të shënojë në akt verifikimin e bërë.
Neni 54 bëhet
Akti noterial për tjetërsimin ose njohjen e pronësisë mbi sendet e paluajtshme ose të një të drejte reale mbi to kryhet nga noteri, pasi të ketë verifikuar pronësinë e palës mbi sendin e paluajtshëm. Për këtë qëllim, pala i paraqet noterit dokumentet e pronësisë dhe noteri, me pëlqimin e saj, verifikon  gjendjen juridike të pronësisë në regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme. Noteri duhet të shënojë në aktin noterial për tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme verifikimin e bërë dhe t’i bashkëlidhë rezultatin e verifikimit.
Dispozitë tranzitore
Dispozitat e këtij ligji janë të zbatueshme për zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ku funksionon regjistri elektronik i pasurive të paluajtshme. Deri në krijimin dhe funksionimin e regjistrit elektronik,  tjetërsimi i pasurive të paluajtshme kryhet sipas procedurave ligjore të mëparshme.
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi më 1 mars 2012.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura