Kryetari i kryesisë së Koncernit gjerman të Sigurimeve, Allianz, Michael Diekmann, kërkon për Greqinë të zhytur në borxhe një plan gjithëpërfshirës, sipas modelit të ndihmave të SHBA-së për Europën Perëndimore, pas Luftës II Botërore. Sipas “Deutsche Welle”, ristrukturimi i borxhit nuk do të mjaftojë, sepse ky problem nuk mund të zgjidhet vetëm me para, i tha Diekmann gazetës “Bild”. Për Greqinë është i nevojshëm një plan industrializimi, një lloj “Plani Marshall”, në mënyrë që puna dhe prodhimi nga e gjithë Europa të zhvendoset në Greqi, dhe jo në Europën Lindore apo në Azi. Allianz është koncerni më i madh i sigurimeve në Europë dhe një ndër depozituesit më të rëndësishëm të kapitalit në mbarë botën. – Shefi i grupit të eurozonës, Jean-Claude Juncker, propozon për Greqinë, të kërcënuar prej falimentimit, një privatizim të pronës shtetërore sipas modelit të shoqërisë gjermane të mirëbesimit. Në një intervistë për revistën “Der Spiegel”, ai e përllogariti shumën e të ardhurave të mundshme me mbi 50 miliardë euro.











